Transmetuar më 23-01-2023, 12:01

Ukrainë- Në kulmin e luftës me Rusinë, Ukraina është përfshirë në skandale korrupsioni. Zv.ministri i Zhvillimit u arrestua me akuzën e një abuzimi prej 400 mijë dollarësh me tenderat për blerjen e makinerive.

Edhe në Ministrinë e Mbrojtjes është denoncuar si abuziv tenderi për furnizimin e forcave të luftimit me ushqime. Presidenti Zelensky ka paralajmëruar masa të forta brenda javës për këto skandale.

Në qendër të akuzave është Ministria e Mbrojtjes, e cila sipas raportimeve mediatike, po paguan dyfishin e çmimeve për kompaninë e përzgjedhur për furnizimin e forcave të ushtrisë në frontin e luftës.

Ndërkohë një zëvendësministër ukrainas është arrestuar me dyshimin se ka përvetësuar 400 mijë dollarë nga fondet e destinuara për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar të vendit.

Hetimi i Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit zbuloi se fondet publike të lëna mënjanë për burime alternative të energjisë gjatë muajve të dimrit, ishin shpërdoruar.

Ministria e Infrastrukturës konfirmoi arrestimin e Vasyl Lozynskyy, ushtrues detyre i ministrit të Zhvillimit të Komuniteteve dhe Territoreve të Ukrainës, për akuzën përvetësim të fondeve buxhetore”.

Sipas hetuesve, zëvendësministri i mori paratë për lehtësimin e nënshkrimit të kontratave për blerjen e pajisjeve dhe makinerive me çmime më të larta se ato të tregut”.

Presidenti Zelensky, në fjalimin e tij të mbrëmjes të dielën, reagoi për skandalet e korrupsonit dhe tha se “vendime konkrete” do të bëhen zyrtare gjatë javës.

“Kjo javë do të jetë koha për vendimet e duhura, konkrete dhe të drejta”, ka thënë ai. Kreu i shtetit ukrainas tha se autoritetet do të analizojnë gjithçka në detaje për sa i përket energjisë dhe prokurimit, për sa i përket marrëdhënieve midis qeverisë qendrore dhe rajoneve dhe prokurimeve për ushtarakët.

Mediat ukrainase kanë denoncuar edhe çmimet e fryra që Ministria e Mbrojtjes paguan për blerjen e artikujve ushqimorë për forcat e luftimit. Gazetarët raportuan se departamenti ushtarak blen ushqime për Forcat e Armatosura të Ukrainës, me çmime 2-3 herë më të larta se çmimet e tregut.

Përshembull, patatet u porositën për 22 Hryvnia për kilogram, ndërsa çmimi me pakicë në dyqan është 8–9 Hryvnia, shembulli tjetër i bërë publik është çmimi i vezëve prej 17 Hryvnia, kur çmimi i tregut është 7 Hryvnia për copë.