Transmetuar më 24-01-2023, 08:36

SHBA- Një 67 vjeçar i armatosur ka vrarë shtatë persona në dy lokacione të ndryshme në gjirin Half Mun në Kaliforni, rreth 50 kilometra në jug të San Franciskos, derisa bëhet e ditur se një tjetër person është në gjendje kritike nga plagët e marra.

Zyra e Sherifit mori fillimisht raporte për të shtëna pak para orës 14:30 dhe gjeti katër persona të vdekur nga plagët me armë zjarri dhe një person të pestë të plagosur, në lokacionin e parë.

Menjëherë pas kësaj, oficerët gjetën tre persona të tjerë të vdekur në një vend tjetër, aty pranë, tha kapiteni Eamonn Allen në një njoftim për shtyp.

Sulmuesi, i identifikuar si 67-vjeçari Zhao Chunli, u arrestua nga policia dy orë pas sulmit. Autoritetet në Kaliforni thanë se motivi i sulmit ende nuk dihet.

Sherifi i qarkut, Christina Corpus, deklaroi se kjo ngjarje është “e tmerrshme” dhe “një tragjedi të cilën do ta mbajmë në mend”.

Ajo gjithashtu konfirmoi se dëshmitarët e sulmit përfshinin fëmijë.

Ky sulm vjen vetëm dy ditë pasi një sulmues vrau 11 persona të komunitetit aziatik në një klub vallëzimi në Los Anxhelos, pas festimit të Vitit të Ri Hënor. Personat e vrarë ishin në moshën mes 50 dhe 60 vjeç. Sulmuesi u gjet i vetëvrarë pas disa orësh.

Gjiri i Half Mun është një qytet i vogël bregdetar, shtëpi e rreth 12,000 banorëve.