Transmetuar më 24-01-2023, 14:45

Dani Alves po kupton se rasti i tij është padyshim më i rëndë nga sa mendonte. Futbollisti brazilian ndodhet në burg (pa mundësi lirimi me kusht) që nga e premtja, i akuzuar për sulm seksual, dhe pozicioni i tij është padyshim kritik, ekziston rreziku i një dënimi të rëndë, i cili mund të arrijë deri në 12 vite.

Fillimisht Dani Alves e mori çështjen lehtë dhe qëndrimi i tij sfidues i acaroi shumë hetuesit. Tani mbrojtësi ka ndryshuar "regjistrin" dhe ka kërkuar t’i nënshtrohet një marrjeje të re në pyetje. Shumë lajme u shfaqën gjatë fundjavës.

Ney Alves, vëllai i Dani, në programin televiziv "Fiesta", familja kërkon të ndryshojë avokatë, sepse janë të pakënaqur me punën e Miraida Puente Wilson. Megjithatë, ishte ai që i kërkoi gjyqtarit një takim të ri me klientin e vet.

Dani Alves dëshiron të sqarojë pozicionin e vet. Problemi është se braziliani ka dhënë tashmë tri versione të asaj që ndodhi në agimin e natës së 30 dhjetorit në diskotekën "Sutton" të Barcelonës. Madje, fillimisht braziliani tha se nuk e njihte vajzën 23-vjeçare që e denoncoi.

Më pas pranoi se e kishte njohur, por nuk kishte bërë asgjë nga ato që akuzohet. Më pas pranoi se mes tyre kishte një marrëdhënie seksuale, por duke u shprehur se vajza ishte dakord. Tani Alves ndjen nevojën për të korrigjuar deponimin e tij përsëri.

Ajo që e përkeqësoi situatën e futbollistit para hetuesve ishte zgjedhja për të regjistruar një video para se të futej në burg dhe ia besoi programit televiziv "Y ahora Sonsoles" të Antena 3. Në incizim, Alves thotë disa gjëra që nuk përkojnë me atë që del nga analiza e videove të kamerave me qark të mbyllur të diskos.

Dy faktet, ideja e realizimit të një videoje dhe përmbajtja e saj irrituan thellësisht hetuesit. “Më vjen shumë keq, por nuk e di se kush është e reja. Nuk ia di emrin, nuk e njoh, nuk e kam parë kurrë në jetë. Mjaft, ata po lëndojnë të dashurit e mi, të cilët e dinë se kush jam unë”, – thotë Alves në regjistrim.

Sipas versionit të brazilianit, atë mbrëmje ai hapi derën e banjës dhe gjeti vajzën brenda, por ka video të tjera për të mohuar atë që tha Alves. Janë video nga disko. Dhe në fakt, pasi i ka parë ato para gjyqtarit, lojtari ka ndryshuar versionin e tij, duke u tërhequr pas faktit se nuk e njihte akuzuesen dhe ka kaluar në versionin e pranimit të seksit me dëshirë.

Këtë version vajza e mohon, madje ka hequr dorë nga kompensimi ekonomik që mund të shoqërojë këtë lloj ankese. Fjalët e saj të regjistruara në procesverbal janë mbledhur nga "La Vanguardia", gazeta politike katalanase: “U përpoqa të rezistoja, por ai ishte shumë më i fortë se unë. I kërkova të ndalonte dhe të më linte të dilja. Kur mbaroi më tha se ishte larguar nga klubi para meje”.

Vajza, ndryshe nga Alves, ofroi gjithmonë të njëjtin version të asaj që ndodhi, si në momentin e denoncimit, më 2 janar, dhe të premten në prani të gjyqtarit, kur foli për një orë e gjysmë. Fjalët e saj përkojnë me atë që del nga analiza e videove të lokalit.

Siç raportohet nga "La Vanguardia", ankuesja tha se Alves e mori atë në një banjë dhe e përdhunoi atje, pavarësisht se u përpoq të rezistonte. Më pas e urdhëroi të qëndronte aty, gjë që ajo e tmerruar e bëri për disa minuta. Më pas ajo doli dhe e përlotur iu tregoi miqve të saj gjithçka.