Transmetuar më 25-01-2023, 08:16

Arbitrja Catarina Campos ka treguar kartonin e parë të bardhë që është parë në një ndeshje futbolli në Portugali. Ndodhi gjatë ndeshjes që Benfica përfundoi duke e humbur ndaj Sporting Portugal 0-5 në “Taça de Portugal Feminina”.

Në minutën e 44-t të pjesës së parë, arbitrja kryesore tregoi ​një karton të bardhë për mjekët e të dyja skuadrave dhe ndryshe nga paralajmërimet e verdha apo të kuqe në kësi rastesh, sinjali ishte mirënjohës për “fair play”.

Një nga 15.032 tifozët e pranishëm në “Estádio da Luz” nuk u ndje mirë në tribunë dhe kishte nevojë për ndihmë. Ai u ndihmua urgjent nga shërbimet mjekësore të të dyja skuadrave.

Kartoni i bardhë u miratua nga Federata Portugeze e Futbollit (FPF) në vitin 2018 për të shpërblyer ‘fair-play’ dhe qëndrimet e mira në një ndeshje, si në fushë ashtu edhe në tribuna.

Ky mjet i promovuar nga Plani Kombëtar i Etikës në Sport të Portugalisë shërben për të "njohur sjelljen korrekte në fushë, duke e aplikuar për lojtarët, trajnerët dhe gjithashtu tifozët", shpjegoi FPF kur njoftoi krijimin e kartonit të bardhë.

Spanja e prezantoi kartonin e bardhë në vend të atij të verdhë më 1971. Kartonët filluan të përdoren jozyrtarisht në botën e futbollit gjatë Kupës së Botës 1966 në Angli, në ndeshjen çerekfinale mes Argjentinës dhe Anglisë.

Zyrtarisht, kartonët e verdhë dhe të kuq u prezantuan në Kupën e Botës në Meksikë, të mbajtur në vitin 1970, ku sovjeti Kakhi Asatiani ishte lojtari i parë që mori karton të verdhë dhe kiliani Carlos Cazely i pari që pa kartonin e kuq.

Më 15 janar 1971, Federata Spanjolle e Futbollit autorizoi zbatimin e kartonit të bardhë për paralajmërim dhe kartonit të kuq për përjashtim nga loja. Në vitin 1976, Federata Spanjolle respektoi rregullat ndërkombëtare dhe ndryshoi kartonin e bardhë për atë të verdhë që përdorej në vende të tjera.