Transmetuar më 25-01-2023, 12:20

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një dalje për mediat nga selia rozë ka deklaruar se kjo forcë politike do të depozitojë sot në SPAK kallëzimin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi për vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar 2011.

Sipas Gjiknurit, as drejtësia e kaluar dhe as kjo e sotmja nuk kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të 21 janarit dhe vendosjen përpara drejtësisë të autorëve të saj.

“Partia Socialiste do të depozitojë sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi, për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, referuar ngjarjes së 21 janarit 2011.

Dialogjet e bëra publike e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin për Gardën e Republikës.

Ne e kemi drejtuar gishtin menjëherë te Sali Berisha pas asaj ngjarjeje. Nuk ka pasur qytetar që të mos ketë kuptuar që urdhëruesit ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tij i afërt në atë kohë, Lulzim Basha.

Ata të gjithë e dinin dhe e treguan me gisht, drejtësia e kohës, zgjodhi të mos e shikonte, besonte apo edhe ta hetonte.

Edhe drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë dosje dhe për të zbardhur plotësisht këtë krim”, u shpreh Gjiknuri.