Transmetuar më 25-01-2023, 23:11

TIRANË- Emisioni investigativ “Stop” ka shkuar në zonën e Kombinatit në shtëpinë e zonjës Hirije Mehmeti. Ajo tregon se ka aplikuar për pension social dhe prej Korrikut 2022 nuk ka asnjë përgjigje. Hirija jeton e vetme dhe nuk ka asnjë të ardhur.

Denoncuesja: Jam një nënë 70-vjeçare. Kam aplikuar për pension social që në muajin Korrik. Emri më ka dalë tek posta, por lekët nuk janë futur. Më kanë kthyer çdo lloj përgjigjeje, të gjitha dokumentet i kam bërë, por akoma nuk ma kanë dhënë. Edhe ndihmën ekonomike ma kanë hequr. Me çfarë jetoj? Lagjja më jep nga një pjatë nëna. Kujt i do qejfi me më dhënë. Vritem me hekura, me gjëra. Nuk kam nga t’ia mbaj. Punoj pupa. Ja, kushtet e mia ku jeton nëna. Më rrjedh komplet shtëpia. Po nuk më takoi, mos të ma japin, por të më thonë që unë të mos sorollatem e të mundohem. Ju lutem shumë më ndihmoni!

“Stop” u interesua pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe iu tha se dosja e zonjës Hirije ishte në proçes verfikimi dhe këtë javë i kaloi.

Denoncuesja: Ju falenderon shumë nëna nga zemra. Zoti ju ndihmoftë dhe paçi të mirat e botës. Të mos kisha ardhur tek ju, akoma nuk e kisha marrë.