Transmetuar më 26-01-2023, 13:55

Një kthesë e re në kalendarin e ndeshjeve të kombëtareve, e nxitur kryesisht nga ndryshimi i skenës për Kupën e Botës, e cila do të shkojë nga 32 në 48 ekipe të kualifikuara për fazën finale.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të modifikojë fazën kualifikuese, e cila tani e tutje do të bëhet 12 grupe me nga 4 ose 5 skuadra. Skuadrat e para të grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt. Katër vendet e tjera do të përcaktohen përmes "play off"-it.

Formati do të përdoret gjithashtu për kualifikimet e "Euro 2028", jo 2024, që do të ndjekë modelin tradicional. Risia tjetër e madhe vjen në Ligën e Kombeve. Kalendari i ri do të ketë edhe dy ndeshje të tjera.

Në vend të kualifikimit të parë direkt në "Final Four", si deri më tani, do të krijohet një "play off" pas fazës së grupeve që do të përfshijë të klasifikuarit në vendet e dyta. Fitues të këtyre "play-off"-eve do të jenë ata që do të luajnë në "Final Four".

Në këtë mënyrë fokusi vihet në ndeshjet mes skuadrave më të mira në Europë, të cilat në terma afatgjatë janë ato me më shumë audiencë.

"Liga e Kombeve është një sukses dhe kishte nevojë për diçka më shumë. Formati i ri premton të sjellë më shumë emocione në garat e ekipeve kombëtare, të cilat çdo ditë tërheqin më shumë vëmendjen e tifozëve", – komentoi kreu i UEFA-s, Ceferin.