Transmetuar më 26-01-2023, 14:34

Kur flet Ibrahimovic, nuk lë askënd indiferent. Ndryshe nga shumica e lojtarëve, sulmuesi suedez ka qenë gjithmonë një nga ata që nuk e "kafshon gjuhën" kur jep opinionin e tij në publik. Me këtë rast, Ibra ka folur për sjelljen e kombëtares argjentinase gjatë Botërorit të Katarit dhe është treguar shumë i ashpër:

"Unë jam i shqetësuar për lojtarët argjentinas, sepse ata nuk do të fitojnë asgjë tjetër. Messi fitoi gjithçka dhe ai do të mbahet mend, por pjesa tjetër u soll keq dhe kjo nuk mund të respektohet.

Unë e them këtë si një profesionist i nivelit të lartë. Ata e fituan një herë Botërorin, por nuk do ta bëjnë më”, – ka komentuar lojtari i Milanit në një intervistë për "France Inter".

Megjithatë, nuk ishin të gjitha fjalë të këqija. Zlatan vlerësoi kapitenin e Albiceleste: “Messi konsiderohet më i miri në histori dhe do të mbahet mend për fitimin e Kupës së Botës në Katar”.

Përveç kësaj, ai vuri në pah edhe rolin e madh të Mbappe në Kupën e Botës: “Më vjen keq për Mbappe, sepse të shënosh katër gola në një finale dhe të mos e fitosh atë është shumë e trishtueshme. Por ai tashmë ka fituar një Kupë Bote dhe do të fitojë edhe ndonjë tjetër. Nuk jam i shqetësuar për Mbappen”.

Këto deklarata vijnë si pasojë e ndeshjes kontroverse ndaj Holandës në çerekfinale, dhe festimit të disa lojtarëve argjentinas pas fitores së finales në Katar.