Transmetuar më 27-01-2023, 07:50

Braziliani Dani Alves (39 vjeç) është pranuar që nga e hëna e kaluar në burgun Brians 2, pasi gjyqtarja Anna Marín, e gjykatës hetuese nr. 15 në Barcelonë, urdhëroi burgun pa kushte për futbollistin, i akuzuar për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në banjën e klubit të natës "Sutton".

Për momentin dihen pak detaje nga qëndrimi i Alves pas hekurave, por këtë të mërkurë ‘El Periódico’ ka publikuar disa aspekte të ditëve të tij të para në burg dhe njëra prej tyre është mjaft e habitshme.

Siç thuhet në informacionin e lartpërmendur, Dani Alves është duke ndarë një qeli me një bashkatdhetar brazilian, mbiemri i të cilit është Coutinho, njëlloj si ish-lojtari i Barçës, tani tek Aston Villa. I burgosuri, i akuzuar gjithashtu për një vepër të ngjashme (sulm seksual), u zgjodh nga përgjegjësit e Brians 2 për të ndihmuar futbollistin të përshtatet me jetën e tij të re.

Bazuar në vendimin e gjyqtarit për ta lënë në burg pa kushte dhe hetimin e rëndësishëm nga "Mossos d’Esquadra", gjithçka tregon se Alves mund të kalojë një kohë të gjatë në burg dhe për këtë arsye ai duhet të përshtatet sa më shpejt me rutinën e rëndë që ekziston në Brians 2, e cila fillon në orën 8:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 22:00, kur dritat fiken.

Kujtojmë se Dani Alves ka punësuar pak ditë më parë avokatin e Lionel Messit, Cristóbal Martell. Se cila është strategjia që do të ndjekë mbrojtja do ta shohim në ditët në vijim, pasi Alves kërkoi të dëshmojë sërish para gjyqtarit.