Transmetuar më 26-01-2023, 23:35

SHBA- Donald Trump ka bërë reagimin e parë lidhur me dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili e hetoi ish-Presidentin për lidhjet e dyshuara me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016. Në një postim në rrjetin e tij social Trump shkoi: “Ky djali i FBI-së që mu vu pas për atë rrengun e Rusisë, Rusisë, Rusisë… që shumë kohë përpara zgjedhjes sime si President, sapo u arrestua për marrjen e parave nga Rusia, Rusia, Rusia. Le të kalbet në ferr!”

NewsWeek shton se McGonigal ishte një nga figurat e para të FBI-së që u vu në dijeni të pretendimeve se George Papadopoulos, një këshilltar i fushatës së Trump-it, mburrej se e dinte se rusët kishin të dhëna që mund të dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton. Në vitin 2019, hetimi i këshilltarit special Robert Mueller përcaktoi se nuk kishte prova që Trump dhe fushata e tij komplotuan ose u koordinuan me Rusinë.

Vetëm tre ditë më parë u publikua dosja e plotë dhe aktakuza me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI.