Transmetuar më 27-01-2023, 09:19

Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit, e titulluar “Më të Mirët 2022”, do të jetë momenti kulmor i një viti kalendarik ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e blertë.

FSHF ka përgatitur gjithçka për një mbrëmje festive, ku nuk do të mungojë programi artistik dhe ku do të jenë të pranishëm të ftuar specialë, së bashku me më të mirët e futbollit. Sakaq, kandidatët për fituesit e çmimeve janë përzgjedhur nga vetë protagonistët e futbollit shqiptar, pas një procesi të gjatë e transparent votimi të udhëhequr nga FSHF dhe që ka nisur prej kohësh.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2022” garojnë Xhuliano Skuka, Mentor Mazrekaj dhe Redon Xhixha, ndërsa për “Topin e Artë 2022” për vajza finalistet janë Sara Maliqi, Esmeralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2022’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2022” kandidaturat janë Mirel Josa, Shpëtim Duro dhe Orges Shehi. “Talenti i Vitit 2022” do të shpallet njëri mes Simon Simonit, Arinaldo Rrapajt dhe Rejan Alivodës, tre prej lojtarëve të rinj që janë paraqitur mjaft mirë vitin e kaluar.

Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2022” janë në garë Rosela Vasa, Gelda Kadiolli dhe Xhesika Ndoj. Sakaq, do të jepet dhe një çmim për “Arbitrin e Vitit 2022” dhe finalistët e përzgjedhur janë Juxhin Xhaja, Eldorian Hamiti e Enea Jorgji.

Çmimi i nderit “Mirënjohje” do t’i shkojë ekipit të Vllaznisë së vajza, për suksesin e jashtëzakonshëm, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të "UEFA Women’s Champions League" dhe duke luajtur me 16 klubet më të mëdha të Europës.

Dhë në fund do të zbulohet “Formacioni i Vitit 2022” me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion, të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend. Mbrëmja gala do të zhvillohet sonte, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, dhe nis në ora 19:00.