Transmetuar më 27-01-2023, 12:02

TIRANË- U vendosnin ‘gjoba’ farmacistëve, arrestohen dy specialistë të Agjencisë së Barnave.

Të shoqëruar janë Besiana Xhelili dhe Luan Çiçi. Në kërkim zyrtari tjetër i Agjencisë së Barnave, Armando Luka.

Policia informon se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Farmacisti".

Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:

Besiana Xhelili, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;

Luan Çiçi, 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Vijon puna për kapjen e shtetasit Armando Luka, si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.