Transmetuar më 27-01-2023, 13:32

Kontrollet e zakonshme mjekësore për përshtatshmërinë sportive përfaqësojnë procesin klasik para transferimit të një futbollisti. Kontrolle të thelluara nga klubi i ri për të ditur gjendjen shëndetësore dhe monitoruar situatën e profesionistëve.

Në rastin e Emre Can, këto kontrolle rezultuan të jenë providenciale për jetën e futbollistit gjerman me origjinë turke. Këtë e ka bërë të ditur vetë 28-vjeçari, i cili u transferua nga Liverpool-i te Juventusi në verën e vitit 2018 si lojtar i lirë, pas skadimit të natyrshëm të kontratës që e lidhte me “Reds”.

Pikërisht me rastin e testeve mjekësore përgatitore për nënshkrimin e kontratës, mjekët e Juventusit kanë konstatuar diçka anormale. "Kam pasur kancer në tiroide dhe më nevojitej urgjentisht operacioni, – tha Emre Can për DAZN. – Kjo ka ndryshuar shumë në jetën time. Mund të kesh shumë para, mund të kesh gjithçka, por shëndeti është gjëja më e rëndësishme".

Futbollisti i lindur në vitin 1994, tani me Borussia Dortmund, më pas shtoi: "Kjo është pjesë e jetës, i këshilloj të gjithë të kontrollohen. Nuk ka rëndësi se sa të shëndetshëm mendojmë se jemi; nëse i zbulojmë këto gjëra në kohë, mund të marrim masa".

Emre Can riktheu “kasetën”, duke rrëfyer episodin që ndodhi në muajt e parë te Juventusi: "Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për mjekët bardhezinj. Disa muaj pas vizitave mjekësore me Juven më thirrën.

Unë nuk e dija se çfarë po ndodhte, nuk kisha dëgjuar kurrë për tiroiden dhe nuk e dija se mund të kisha një tumor të tillë. Transferimi në Torino ia vlejti qoftë edhe vetëm për këtë".