Transmetuar më 28-01-2023, 08:48

"Zaniolo nuk është fajtor për asgjë në veçanti. Nëse ai nuk dëshiron të shkojë te Bournemouth, i cili në Premier League është një ekip i dorës së tretë, gjithashtu mund të mirëkuptohet. Nuk është se atë ofertë ia ka bërë Liverpool".

Këtë e thotë Walter Sabatini, ish-drejtori sportiv i Romës, i cili mban anën e futbollistit pas kërkesës për shitje dhe ultimatumit të klubit verdhekuq. Hipoteza e Milanit është e nuancuar dhe mbetet akoma për t’u kuptuar se si do të përfundojë historia.

"Është gjithçka shumë e parashikueshme, – tha Sabatini për ‘Radio Sportiva’. – Midis Zaniolo dhe Romës ka pasur gjithmonë një konflikt latent, që nuk është zgjidhur kurrë. Roma duhet të pranojë vendimin e lojtarit, jeta është e tij.

Ndoshta ka pasur një siklet të ndërsjellë dhe ai mund të ketë menduar se është më mirë të largohet. Sidoqoftë, unë nuk mendoj se shkoi me armë në klub për të diktuar ligjin. Marrëdhëniet janë pak të acaruara, kjo ‘luftë’ nuk duhet të nxitet për asnjë situatë.

Zaniolo është një djalë i ri. Ai duhet të gjejë një ekuilibër të brendshëm, që nuk e ka ende, por ka gjithë kohën përpara. Ai është një lojtar i fortë. Me kalimin e kohës do të përmirësohet, ka forcë, talent, të gjitha cilësitë e lojtarit të nivelit shumë të lartë".

Kur e pyesin nëse Milani është zgjidhja ideale për ta gjetur atë, ish-drejtori verdhekuq përgjigjet: "Milani është garant për lojtarët e rinj. Ka gjetur një formulë, edhe nëse në ditët e fundit është pyetur pak. Më mirë se Milani nuk ka asgjë për Zaniolo".