Transmetuar më 28-01-2023, 12:15

As Zaniolo, as Traore dhe as Laurienté. Jo Riad, por vetëm “San Siro”. Pioli thotë se Milani duhet të mendojë për ndeshjen e nesërme ndaj Sassuolo-s, të marrë patjetër tri pikët, pak rëndësi ka duke luajtur mirë apo keq:

“Një moment i tillë delikat kapërcehet duke punuar dhe fituar ndeshje, ne kemi besuar gjithmonë në këtë. Unë gjithmonë besoj se duke luajtur mirë ka më shumë shanse për të fituar, por tani duhet të kthehemi te tri pikët. Nga vështirësitë del edhe me ndeshje të pista, duhet të jemi konkretë”.

Mesazhi më i rëndësishëm i konferencës për shtyp të trajnerit kuqezi është ndoshta ai për klimën e brendshme: “Kam parë gjithmonë vullnet të madh te lojtarët. Asgjë nuk ka ndryshuar në grup, ka kohezion të madh, përgjegjësi të madhe.

Ka më shumë heshtje, pak buzëqeshje, më shumë vëmendje për punën, por gjithçka në grup funksionon. Lojtarët janë shumë të vetëdijshëm, e kanë shumë ndjenjën e detyrës, respektin për klubin dhe tifozët”.

Më tej, trajneri i kampionëve të Italisë në fuqi bëri këtë ekspoze të situatës në skuadrën e tij dhe çfarë pret nesër: "Ne kemi një mundësi nesër për ta kapërcyer këtë moment delikat. Duhet të jemi sa më kompaktë, ta kthejmë faqen. Të mendojmë shumë për atë që duhet të kishim bërë nuk na ndihmon. Ne e dimë se mund të bëjmë shumë më mirë.

Jemi të lumtur të kthehemi të luajmë përpara tifozëve tanë, që ishin burim frymëzimi në Romë. Ata treguan se janë të bashkuar dhe na mbështesin. Tani është radha jonë, gjithçka që ka rëndësi është të fitojmë.

Askush nuk duhet të mendojë se lojtarët nuk duan ta kapërcejnë këtë moment, apo se nuk japin 100%. Gjithmonë kam parë vëmendje dhe vullnet të madh. Momenti kapërcehet duke punuar, sepse ne dimë të të bëjmë shumë më mirë se ajo që po bëjmë.

Të gjithë lojtarët duhet të ndihen gati. Është hera e parë që nuk fitojmë në 5 ndeshje radhazi, ndaj duhet të jenë të gjithë gati. Kemi luajtur shumë ndeshje, formacionin do ta vendos pas stërvitjes së sotme.

Ne i kemi burimet e nevojshme për të dalë nga ky moment krize. Jemi duke u rikuperuar nga dëmtimet, kështu që ndihemi mirë kështu, nuk kemi nevojë për merkato. Tifozët janë gjykues objektivë; shohin cilësitë dhe mënyrën tonë të lojës. Ne do të përpiqemi t’i kënaqim nesër.

Tri ndeshjet e fundit kanë qenë negative në përgjithësi. Ne mund të bëjmë shumë gjëra më mirë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Për momentin është kolektivi ai që duhet të ndihmojë individët dhe jo anasjelltas".