Transmetuar më 30-01-2023, 09:30

Skriniar do të luajë për PSG nga sezoni i ardhshëm. Nuk është zyrtare, por jemi afër. Vetë mbrojtësi është kujdesur për të hequr çdo dyshim mbi të ardhmen e tij.

“Po, është e vërtetë, por nuk mund të them më shumë për momentin. Jam ende në pritje të një marrëveshjeje mes klubeve”, – ka treguar ai për faqen sllovake "futbolsfz.sk".

Klubi francez po përpiqet të parashikojë kohët, duke dashur ta marrë ish-lojtarin e Sampdoria-s që në janar, por për momentin, megjithatë, e mban larg "muri" i Interit që kërkon më shumë se 10 milionë eurot e ofruara nga parizienët.

Megjithatë, në qershor, kur Skirniar i skadon kontrata, Parisi do të jetë padyshim qyteti i ri i qendërmbrojtësit, i ndjekur për një kohë të gjatë dhe i bindur përfundimisht nga PSG.

Nuk ka vonuar edhe apeli i Marco Materazzi për Milan Skriniar, mbrojtësin e Interit, i cili la qartë të kuptohej dje se do të “martohej” me PSG-në: "Askush nuk duhet të dyshojë në profesionalizmin e tij, ai do të japë 100% deri në fund. Por, mbajeni mend: dashurinë e ‘San Siros’ dhe 80.000 tifozëve zikaltër nuk do t’i gjejë askund tjetër".

Nga ana tjetër, përgjigja e trajnerit Galtier për këtë temë ishte diplomatike: "Skriniar është lojtar i Interit dhe nuk kam pse të komentoj për të ardhmen e tij. Kanë mbetur edhe 48 orë deri në mbylljen e merkatos dimërore. Lexojmë, shkruajmë, e dimë që klubi po punon për ardhjen e të paktën një lojtari".