Transmetuar më 31-01-2023, 09:29

Nedim Bajrami largohet nga Empoli në këtë sesion të merkatos. Është gjetur një marrëveshje për transferimin e tij të përhershëm dhe ai do të shkojë të luajë në atë ekip që ishte i vetmi që e donte seriozisht dhe fort; Sassuolo.

Dje u përfol për një interesim të mundshëm nga Bologna, por nuk avancuan bisedimet mes palëve. Për të gjitha detajet e sakta të këtij transferimi të futbollistit tonë të kombëtares rezervojmë të drejtën të shkruajmë sërish kur të vendosen nënshkrimet në kontratë.

Megjithatë, shifra që Empoli duhet të fusë në xhep është 6 milionë euro, shifër shumë më e ulët se kuotimi i bërë në verë. Një shitje që mund ta konsiderojmë të drejtë, me ndjesinë e qartë se mesfushori shqiptar nuk kishte çfarë të thoshte më me fanellën blu.

Me Empolin, ku mbërriti në vitin 2019, Nedim Bajrami luajti 107 ndeshje dhe shënoi 17 gola. Sezoni më i mirë padyshim mbetet ai i Serie B, me Dionisin në krye. Pikërisht nga ky trajner do t’ia nisë sërish.