Transmetuar më 31-01-2023, 21:25

Ana Lleshi dhe Arjon Luli kanë qenë dy nga pjesëmarrësit më të komentuar të emisionit “Për’Puthen”. Së fundmi ata janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes, pasi kanë përfunduan në dyert e Gjykatës.

Shkak për këtë u bë padia që Diana Lleshi, ose ndryshe ashtu si të gjithë e njohim Ana Lleshi ngriti kundrejt Arjon Lulit pasi pretendonte se ky i fundit e kishte shantazhuar përmes një fotoje që ai i kishte bërë asaj në banesën e tij teksa ish-konkurrentja ishte në gjumë.

Mësohet se Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar Lulin me 6 muaj burg. Sipas dokumenteve në dosje, në denoncimin e bërë më datën 8 dhjetor të vitit 2020, Diana Lleshi ka kallëzuar se është njohur me Arjonin gjatë një emisioni dashurie.

Në dosje thuhet se Arjoni pasi kishte probleme shëndetësore kishte telefonuar ish-konkurrenten e Përputhen duke i kërkuar ndihmë për t’i çuar barna në banesë. Por sipas deklarimeve duke qenë se ishte orë e vonë, Diana Lleshi ka qëndruar atë natë në shtëpinë e Arjonit, ku ky i fundit i ka bërë një foto.

Këtë imazh Arjoni e ka përdorur në formë shantazhi duke i kërkuar Dianës që nëse nuk vepron siç do ai, atëherë fotoja do të publikohej.

Çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit pasi mësohet se Arjoni e ka apeluar këtë vendim duke kërkuar pafajësi.