Transmetuar më 02-02-2023, 16:20

“Kam punuar në spital gjatë gjithë pushimeve të Festës së Pranverës. Tani mbeten vetëm pak të sëmurë nga kovidi në repartin e pulmonologjisë”, thotë Zhu Biao, një mjek 30-vjeçar në qytetin Huangshan të provincës Anhui të Kinës Qendrore.

Bashkimi i 1.4 miliardë banorëve

Zhu është vetëm një ndër shumë banorë kinezë që kanë bërë përpjekje për të minimizuar ndikimet e epidemisë së kovidit në vendin me popullsinë më të madhe në botë.

Ren Hu, mjek i Spitalit Onkologjik pranë Akademisë së Shkencave Mjekësore të Kinës, ende mban mend solidaritetin dhe përpjekjet e përbashkëta kur punonte si mjek vullnetar në një spital të përkohshëm për të trajtuar kovidin në fund të nëntorit në Pekin, gjatë rritjes së shpejtë të rasteve të infektimit.

“Personeli mjekësor aty ishte nga spitale të ndryshme, por çdonjëri prej nesh i linte mënjanë gjërat private sa herë na kërkonin atje”, theksoi Ren.

Ai shprehu mirënjohje për një mjek që e zëvendësoi atë pa ngurrim kur kishte një situatë urgjente dhe nuk mund të qëndronte në detyrë.

Kolegu i Ren-it nga Spitali i Miqësisë Kinë-Japoni, Zhang Chuanpeng, tha se ai, që është neurokirurg, mësoi të përdorte ECMO-n, një pajisje për të trajtuar rastet e rënda të kovidit, kur i gjithë stafi i spitalit iu përkushtua ndihmës në betejën kundër valës së epidemisë në fillim të dhjetorit.

Mbi katër milionë punëtorë qëndruan në vendet e tyre të punës në 650 mijë lagje në qytetet e fshatrat anembanë vendit, duke shpjeguar masat e parandalimit dhe rëndësinë e vaksinimit, duke organizuar testimet e acidit nukleik dhe duke shpërndarë materiale për parandalimin dhe kontrollin epidemik.

Miliona vullnetarë morën pjesë bashkë me ta në vijën e parë të frontit në luftën kundër virusit.

Edhe banorët e thjeshtë kinezë kontribuuan në luftën trevjeçare kundër kovidit. Mbajtja e maskave është bërë pothuajse një veprim i ndërgjegjshëm i çdo njeriu në vende publike.

Jeta normale po kthehet

Megjithëse pandemia ende nuk ka përfunduar, jeta normale në Kinë po kthehet. Sipas të dhënave statistikore të publikuara të hënën nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC) i Kinës, përqindja e përgjithshme e infektimit nga kovidi gjatë Festës së Pranverës, nga 21 deri më 27 janar, ishte e ulët dhe numri i të infektuarve ra në mënyrë të qëndrueshme.

Fu Wei, zyrtar nga Departamenti i Shëndetit Parësor pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, u shpreh se numri i vizitave në klinikat e etheve, në ambulanca dhe në sallat e urgjencës në qendrat shëndetësore në qyteza dhe lagje, pra në institucionet bazë mjekësore e shëndetësore, ishte i ulët gjatë Festës së Pranverës.

Z. Fu shtoi se trajtimet mjekësore dhe parandalimi e kontrolli epidemik në institucionet mjekësore e shëndetësore bazë gjatë festës ishin gjithashtu “të qëndrueshëm dhe të rregullt”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në mbarë vendin ka mbi 2600 spitale në nivel lagjeje, gati 600 mijë klinika rurale dhe afro një milion institucione shëndetësore të nivelit parësor.

Sipas Planit të 14-të Pesëvjeçar për Zhvillimin e Profesionistëve Shëndetësorë, deri në fund të vitit 2025, numri i punonjësve shëndetësorë në Kinë do të arrijë në 16 milionë, raporti i mjekëve me infermierët në spitalet publike do të shkojë gradualisht në 1:2 dhe personeli teknik mjekësor do të zërë mbi 75 % të punonjësve mjekësorë në institucionet mjekësore e shëndetësore të nivelit parësor.

“Pavarësisht se çfarë po bën, sa herë që njerëzit kanë nevojë, duhet të bësh sa mundesh për ta”, tha 40-vjeçari Gou Quhong, mjek në një spital rural në Bazhong të Kinës Jugperëndimore.

Fotot: VCG