Transmetuar më 04-02-2023, 19:50

SHBA- Kur OpenAI – një kompani e teknologjisë e themeluar 8 vite më parë në një partneritet shumë miliarda dollarësh me Microsoft – hodhi në rrjet në nëntor 2022 aplikacionin ChatGPT për përdorim publik falas, paralajmëroi mbërritjen e një “të ardhmeje befasuese”.

“Ajo mund të shkruajë kodin e softuerit”- tha Tyler Cowen në Bloomberg. Mund të kompozojë poezi dhe muzikë dhe të përkthejë në 100 gjuhë të botës. Mund t’i japë përgjigje shumë interesante pyetjeve mbi gati çdo gjë në botën njerëzore ose natyrore.

Dikush kaloi një provim përfundimtar për diplomën në jurisprudencë dhe ekonomi në Universitetin George Mason, ku unë jap mësim, me përgjigje “të bukura, të qarta”.

Aftësitë e jashtëzakonshme të një gjenerate të re të programeve të Inteligjencës Artificiale, AI, “janë të vështira për t’u kuptuar nga mendja njerëzore”.

Me “rrjetet nervore” që imitojnë funksionet e trurit, AI mund të krijojë tekst origjinal, imazhe ose përmbajtje të tjera me një cilësi befasuese.

Këto programe analizojnë miliarda pjesë të të dhënave, duke gjetur modele dhe duke marrë vendime të bazuara në probabilitet për përgjigjet që japin.

“Deri më sot ChatGPT është trajtuar kryesisht si një kuriozitet”- tha Julia Horowitz për CNN. Ai ka më shumë se 1 milion përdorues, që i kërkojnë këtij truri virtual të shkruajë e-maile biznesi, letra motivimi dhe sonete shekspiriane të rreme.

Por një version i ri i ChatGPT që do të hidhet në rrjet këtë pranverë, do të zgjerojë shumë diapazonin gjuhësor të ChatGPT, tashmë i bazuar në rreth 8 miliardë faqe tekst.

Disa drejtues në Silicon Valley dhe ekspertë të teknologjisë, besojnë se AI do ta transformojë shoqërinë në mënyrë dramatike po aq sa smartfoni apo edhe interneti.

“Punëtorë jakëbardhë kini kujdes!”- shkroi Annie Lowrey në “The Atlantic”. Një studim i Oksfordit në vitin 2013, vlerësoi se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë deri në 47 për qind të vendeve të punës në SHBA, dhe që nga ajo kohë është bërë shumë e sofistikuar për të kryer punë “që kryhen aktualisht nga prodhues të përmbajtjes dixhitale, asistentë ekzekutivë, programues kompjuterësh të nivelit fillestar, madje edhe disa gazetarë”.

Faqja e lajmeve teknologjike CNET, ka publikuar më shumë se 70 histori të shkruara nga ChatGPT – edhe pse shumë prej tyre kishin nevojë për korrigjime – ndërsa konsulentja e AI Nina Schick vlerëson se deri në vitin 2025, 90 për qind e përmbajtjes në internet mund të gjenerohet nga sistemet e AI.

Dhe në dallim nga softueri tradicional, sistemet e AI bëhet “automatikisht gjithnjë e më cilësor” pasi thithin më shumë të dhëna dhe mësojnë nga përvoja dhe gabimet. Po ashtu këto programe po i ndihmojnë mashtruesit në shkollë që të përparojnë, shkruan gazeta “Chicago Tribune” në një editorial të sajin.

Esetë e krijuara nga ChatGPT janë origjinale, në kuptimin që ato nuk riciklojnë thjesht ato të mëparshmet, duke e bërë të padobishëm softuerin kundër plagjiaturës.

Gjuha e tyre është “e lëmuar dhe mjaft e natyrshme” për të mashtruar edhe pedagogët veteranë. Los Angeles dhe New York, dy distriktet më të mëdha të shkollave publike të vendit, kanë ndaluar përdorimin e ChatGPT, por gjithsesi është shumë e lehtë që studentët të kenë qasje në të.

Ne nuk ndihmojmë askënd duke i dhënë chatbot-ve “më shumë besueshmëri sesa e meritojnë”, tha Tony Ho Tran për “The Daily Beast”. Është e vërtetë, që modelet e tyre aktuale e zotërojnë gramatikën dhe strukturën, por jo saktësinë. Deri 1/5 e informacionit të prodhuar nga ChatGPT kishte gabime.

Madje disa janë aq të dukshme sa të prodhojnë frazën “duhen 9 gra dhe 1 muaj për të bërë një fëmijë”. Ndërsa analizojnë një sasi të madhe të dhënash, këto programe nuk bëjnë gjykime me vlerë për atë që është e besueshme dhe çfarë jo. Përpjekja e kompanisë Meta për të krijuar një AI të aftë të shkruajë punime akademike “prodhoi studime raciste, seksiste, diskriminuese dhe të rreme”.

“Po afrohet një kërcënim shumë më i madh”- thanë Nathan E. Sanders dhe Bruce Schneier për “The New York Times”. Gjeneruesit e tekstit të Inteligjencës Artificiale mund të krijojnë shpejt dhjetëra mijëra e-maile dhe letra të simuluara, por e kanë të vështirë të prodhojnë letra për redaktorin apo analiza të sakta në një shkallë astronomike.

Disa mund ta përdorin AI për të përhapur dezinformata dhe propagandë dhe “të imitojnë punën që bëri Agjencia Ruse e Kërkimeve në Internet” gjatë zgjedhjeve të 2016, por me një kosto shumë më të ulët.

Ndërsa AI do të bëhet në mënyrë eksponenciale më e sofistikuar në vitet e ardhshme, ajo mund ta bëjë gati të pamundur të dihet se cilat informacione, foto dhe artikuj që gjeni në internet janë krijuar artificialisht dhe cilët janë realë, duke e minuar vetë demokracinë.

Ndikimi i AI mund të jetë edhe “vdekjeprurës”, thotë kongresmeni i Kalifornisë Ted Lieu. Algoritmet e fuqizuara nga AI, kanë ndihmuar tashmë në radikalizimin e njerëzve në internet dhe armët autonome të drejtuara nga AI mund të “bredhin rrugëve” një ditë. Inteligjenca Artificiale po përdoret tashmë në sistemet e njohjes së fytyrës, dje kjo “mund të prodhojë një regjim ndërhyrës të mbikëqyrjes publike dhe private, ku qeveria dhe korporatat private mund të dinë saktësisht se ku jeni dhe çfarë po bëni”.

Për të parandaluar rezultatet më të rrezikshme të këtij “revolucioni të katërt industrial”, ne kemi nevojë për një komision federal, që duhet të përbëhet nga ekspertë të teknologjisë, për të identifikuar rreziqet dhe mundësitë që ofron kjo teknologji, dhe për ta ndihmuar Kongresin të krijojë rregulloren e duhura. Ne nuk mund të lejojmë që AI të vazhdojë “e pakontrolluar” zhvillimin e saj revolucionar. Ne ose mund ta “përdorim dhe disiplinojmë” AI për ta bërë botën më të mirë, ose do ta lejojmë Inteligjencën Artificiale që t’i diktojë njerëzimit se në çfarë bote do të jetojmë. Burimi: theweek.com