Transmetuar më 07-02-2023, 09:55

Ish ministri i Ushqimit dhe ish ministër i Jashtëm, Edmond Panariti, vëren se blegtoria ndodhet në degradim dhe shtrenjtim abuziv! Ai e quan situatën e krijuar, me çmimet e shtrenjtuar gati 40 për qind si një paradoks i madh dhe i pajustifikuar, sidomos në kushtet kur në tregun ndërkombëtar çmimet janë ulur me 33 për qind. Por më tepër, kompanitë që grumbullojnë qumështin në vend, janë kthyer në monopol abuziv në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Në këtë mënyrë, praktikisht, kompanitë këtu në Shqipëri e kanë rritur çmimin me plot 70 për qind duke rënduar shumë në xhepat e shqiptarëve që kanë qumështin dhe nënproduktet e tij, jetike për ushqimin e përditshëm.

"Këtë fillim viti fabrikat e grumbullimit te ne kanë shpallur rritjen e çmimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij me rreth 37 % krahasuar me fund vitin e kaluar.

Po këtë fillimi viti, statistikat evropiane, ato të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, dëshmojnë për një ulje me 33 % të çmimit të qumështit dhe nënprodukteve krahasuar me vjet", evidenton Panariti.

Edmond Panariti

Vazhdimi i çudisë dhe i habisë, thotë Panariti është dhe në një fakt tjetër:

"Te ne të vegjëlit, ata që kanë deri 10 lopë dhe 100 dele dhe që përbëjnë 70% të blegtorisë të vendit, por që janë jashtë mbështetjes financiare, për shkak të një diskriminimi të hapur, tentojnë të shesin qumështin të paktën 20 – 30 % më pak nga çmimi i të mëdhenjve.

Por megjithatë këta nuk e shesin dot dhe po falimentojnë!"

Duke u ndalur në këtë argument, Panariti vëren se rrënimi i blegtorisë, shfarosja e saj dhe shpopullimit i fshatit në fakt është falimentimi dhe zhdukja e kësaj shtrese".

"Të mëdhenjtë ata që dhe janë përfitues në letër të mbështetjes financiare, kanë çmim shitje 20 – 30 % më të lartë dhe megjithatë shesin", evidenton Panariti këtë paradoks të madh.

Në këtë pikë, parashikimet janë sa pesimiste aq edhe alarmuese!

"Nëse zhdukim fermat e vogla dhe të mesme blegtorale duke mos i mbështetur dhe financuar ne zhdukim blegtorinë. E kthejmë vendin në një pikë fundore shkarkuese dhe depozituese të qumështit të importit, çimentojnë situata monopol në treg dhe varfërojmë e shpopullojmë Shqipërinë", paralajmëron Panariti.

Në Shqipëri, ndër kompanitë më të mëdha të qumështit dhe nënprodukteve të tij janë Erzeni, Lufra, Gjirofarm, etj. /noa.al