Transmetuar më 08-02-2023, 22:30

Turqi- Autoriteti Turk i Telekomunikacionit (BTK) ka vendosur një kufizim aksesi në rrjetet sociale, të cilat përdoren kryesisht nga të dëmtuarit prej tërmetit për të marrë ndihmë.

Twitter dhe TikTok janë bllokuar ditën e sotme në Turqi, pasi qeveria turke nuk do që të ketë dezinformim rreth asaj që po ndodh në 10 provincat e goditura nga dy tërmetet katastrofike. Jo vetëm shtetasi turq, por edhe gazetarët e mediave botërore nuk kanë akses në përdorimin e Twittter për sa kohë vendndodhja e tyre është në Turqi.

Një vendim i tillë i qeverisë turke nuk është pritur mirë nga përdoruesit e rrjeteve sociale të cilët mendojnë se qëllimi i vetëm i Erdogan është ndalimi i kritikave ndaj punës së tij në menaxhimin post-tërmet.

Disa përdorues gjithashtu deklaruan se ata mund të hynin në Twitter vetëm me një VPN pasi komunikimi në Twitter është më efektiv në këto ditë të vështira.

Ndërkohë rikujtojmë se bilanci i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri e ka kaluar shifrën 12 mijë, por kjo mund të rritet sërish në orët dhe ditët në vijim.