Transmetuar më 10-02-2023, 14:20

Sigura kibernetike është shndërruar tashmë në një mjet dhe “mburojë” të domosdoshme për operacionet e institucioneve publike dhe private në vendin tonë.

Agjencia Kombëtare e Çertifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike (AKCESK) organizoi këto ditë, konferencën “Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri”.

One Albania tha sot se mbështetja që ka ofruar për këtë konferencë është vazhdimësi e suportit disavjeçar që i ka mundësuar këtij institucioni, por edhe kauzës së ofrimit të internetit të sigurtë për të gjithë qytetarët.

Mbrojtja e të dhënave të qytetarëve dhe garantimi i mbarëvajtjes së proceseve kibernetike nis fillimisht me ndërgjegjësimin për të gjithë shoqërinë, veçanërisht që në moshat e vogla që nesër do të jenë përdorues të internetit.

Për këtë arsye periodikisht ky bashkëpunim mes One Albania dhe AKCESK ka prodhuar edhe materiale ndërgjegjësuese dhe këshilluese, me qëllim edukimin mbi risqet e lundrimit në internet.

Këto materiale janë të orientuara drejt të gjithë audiencave, përfshirë prindër e fëmijë. Këto njohuri dhe materiale janë ofruar në formë shumë kreative, lidhur me praktikat më të fundit në sigurinë kibernetike.

Nga investimet në aparatura, mbulimi me friendly wi-fi i 4 BiblioTech-ave për fëmijët dhe të rinjtë për të lunduar në internet të sigurt, ofrimi i lidhjeve të sigurta wireless në disa prej shesheve publike dhe seanca të vazhdueshme ndërgjegjësuese për të rinj, angazhimi ynë është shpalosur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si një ftesë e hapur për çdo individ apo komunitet që dëshiron t’i bashkohet kësaj beteje kolektive.

"Mbetemi gjithmonë të angazhuar për të investuar çdo burim në fuqizimin e strategjisë kombëtare mbi sigurinë kibernetike dhe aplikimin e saj sa më të prekshëm, te të gjithë qytetarët shqiptarë", thotë One Albania.