Transmetuar më 17-03-2023, 06:40

Parlamenti shqiptar miratoi mbrëmjen e së enjtes ndryshime të reja në Kodin Rrugor, në përpjekje për të reduktuar aksidentet rrugore. Ndryshe nga herët e tjera ka disa lehtësira për qytetarët, duke mos u fokusuar si rëndom më parë kryesisht me rritje të vlerave të gjobave.

Kodi i ri parashikon heqjen e postblloqeve në rrugët interurbane. Kështu në të gjitha rrugët ndërqytetëse nuk do të ketë, të paktën sipas ligjit, postblloqe që stacionohen herë pas here. Megjithatë do të ketë disa postblloqe për ndalimin e mjeteve, që ligji pretendon se do të jenë në pika kontrolli me kushte të larta sigurie.

Një ndryshim tjetër është ai i limit të shpejtësisë. Ai do të rritet deri në 130 km në orë. Aktualisht vetëm autostrada që lidh Fierin me Vlorën e ka 120 km në orë. Ajo që lidh Elbasanin me Tiranën e ka 110 km në orë dhe superstrada që lidh Tiranën me Durrësin e ka deri në 90 km në orë.

Ligji i ri detyron bashkitë të sigurojnë pa pagesë 50 % të parkingjeve. Ky është një lajm i mirë për përdoruesit e mjeteve sepse sidomos në Tiranë, vend parkimet me pagesë zënë numrin më të madh të hapësirave të disponueshme.

Ndryshim ka edhe në lidhje me gjobat: Nëse pagesa bëhet brenda 15 ditëve, do të paguhet 50 për qind e vlerës. Kështu nëse gjobiteni me 3 mijë lekë do të paguani 1 500 lekë nëse e shlyen deri më 15 ditë nga prerja e gjobës.

Një tjetër ndryshim do të prekë edhe shoferët e rinj që pajisen me patentat bazike, të kategorisë B. Në dy vitet e para shoferët e rinj nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/TON. Gjithashtu për ta shpejtësia është e limituar në 80 km në orë.

Një nga ndryshimet në Kodin Rrugor është rritja e afatit të rinovimit të patentës, i cili do bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me deri në 10 vjet që është aktualisht. Për patentat deri në B, rinovimi do të bëhet çdo 15 vjet për moshat nga 18 deri në 70 vjeç. /noa.al