Transmetuar më 15-04-2023, 15:28

Një ngjarje e rëndë tronditi Kosovën dhe Shqipërinë një ditë më parë. Urim Hyseni, vrau nënën e tij, Hyrije Hyseni.

Në orën 14:30 i dyshuari  do të paraqitet në gjykatë për masën e sigurisë.

Psikiatri që ka qenë prezent në intervistimin e Hysenit nga Prokuroria ka konkluduar se ai është në gjendje të paraqitet para gjykatësit.

Mësohet se Hyseni në deklarimin e tij, ka thënë që deri te akti ka ardhur për shkak të problemeve me të ëmën, pasi që sipas tij ajo i përzihej në punët e tij personale. Mësohet po ashtu se i njëjti ka pranuar që ka kryer krimin dhe do mbrohet në heshtje.

Hyseni gjatë së premtes pas arrestimit nuk ka qenë në gjendje të flasë e po ashtu ka ndërruar avokatët. Ekzaminimi i tij psikik i është kryer dhe pritet raporti përfundimtar.

Për motivin e përfolur se është ndarë me gruan, mësohet se i njëjti është në procedura të divorcit, por që para policisë nuk e ka thënë që ky është motivi. Mendohet se shkaku i divorcit me gruan ka ardhur si pasojë e ushtrimit të dhunës ndaj saj.

Është zbuluar se Hyseni ka qenë konsumues i lëndëve narkotike dhe më herët nuk ka pasur as edhe një rast të vetëm në polici për ndonjë vepër.

Urim Hyseni jeton në Gjermani, kishte ardhur për pushime dhe pritej të kthehej prapë atje.

Ditën e sotme bëhet dhe varrimi i Hyrije Hyseni.