Transmetuar më 29-04-2023, 08:11

SHBA- Ngjarje e pazakontë në Miçigan të SHBA.

Autobusi me nxënës për pak sa nuk pëson aksident, pasi shoferi në një moment nuk u ndje mirë dhe i ra të fikët.

Incidenti ndodhi në qytetin Warren, në veri të Detroitit, kur studentët po ktheheshin në shtëpi.

Ka qenë 13-vjeçari Dillon Reeves, veprimi heroik i të cilit shpëtoi mrekullisht shokët e tij duke shmangur përplasjen e autobusit. Vogëlushi Reeves ishte duke hipur në autobusin e shkollës me rreth 60 nga shokët e tij të klasës kur kuptoi se shoferi kishte humbur ndjenjat.

"Ai u hodh nga vendi i tij, hodhi çantën e shpinës dhe vrapoi përpara ndërsa autobusi ishte në lëvizje," tha Robert Livernois, mbikëqyrësi i shkollave të shtetit të Miçiganit, në një konferencë për shtyp të enjten.

Në një video nga kamera e shkollës, 13-vjeçari nxiton dhe merr timonin, shtyp frenat dhe ndalon automjetin. Ai dëgjohet duke u bërtitur shokëve të klasës për të thirrur menjëherë ndihmë.