Transmetuar më 03-05-2023, 05:51

Rritja e pagave e pritshme të hynte në fuqi në muajin maj 2023 me efekt muajin prill, nuk do të bëhet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha në një konferencë për media se ajo beson që vendimet e qeverisë do të hyjnë në fuqi në qershor 2023.

Shkak për këtë shtyrje është se projektligji për hierarkinë e pagave në administratën publike, që synon rritjen e rrogës mesatare në 900 euro në dy vite, nuk u miratua sipas parashikimeve, në muajin prill.

Deri tani nuk ka një kalendar të miratuar nga Kuvendi për këtë projektligji për të cilin nuk kanë nisur ende diskutimet.

Megjithatë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në daljen publike, tha se parashikimet janë që ai të miratohet gjatë majit.

"Pagat e administratës publike do të rriten nga Maji dhe do të kenë efekt me pagat që do të merren në Qershor”, tha Ibrahimaj.

Ministrja e financave Delina Ibrahimaj u shpreh se shtyrja vjen si pasojë e projektligjit për hierarkinë e pagave që u bllokua para disa ditësh nga deputetët e të dy krahëve politikë në komisionin parlamentar të ekonomisë.

Drafti përcakton skemën dhe pagën e kreut të shtetit, e cila merret si referencë për të gjitha nivelet e tjera, që do të aplikohen në administratën publike. Në draftin e propozuar nga qeveria parashikohet ndër të tjera, që rroga e Presidentit të Republikës nga 257 mijë lekë në muaj që është aktualisht të rritet në 425 mijë lekë në muaj.

"Projektligji për hiearkinë e pagave, u punua nga qeveria, u miratua dhe u dërgua në kuvend për diskutim, drafti detajon një hiearki të re pagash dhe përcakton dhe pagën e presidentit të republikës, i cili në hierarkinë e pagave qëndron në nivelin më të lartë.

Pasi ky ligj të miratohet ne do të vijojmë me miratimin e vendimeve për rritjen e pagave të administrsatës. Fakti që nuk u miratua në muajin prill sipas parashikimeve do të thotë që parashikohet të miratohet në muajin, dhe i shtrin efektet në pagën që do të merret në Qershor, tha ministrja.

Komisioni i ekonomisë, pak ditë më parë, i shtyu diskutimet e këtij projektligji për pas zgjedhjeve, me argumentin se deputetët do të kenë amendamentet e tyre.

Më 20 prill qeveria zyrtarizoi deklarimet e Ramës se ishin miratuar disa projektvendime që lidhen me rritjen e pagave dhe hapin e parë të rritjes për sektorin shëndetësor, arsimor, por edhe për sektorin e sigurisë.

Kostoja vjetore është parashikuar 38 miliardë lekë. Këto fonde janë parashikuar që të mblidhen qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokime të brendshme. Pra janë kosto që përballohen brenda kuadrit makrofiskal duke ruajtur të gjitha parametrat e ligjit organik të buxhetit. Që do të thotë ne do të vijojmë të ulim borxhin dhe ne do të vijojmë të ulim deficit duke garantuar qëndrueshmëri fiskale”, u shpreh Ibrahimaj më 20 prill. /noa.al