Transmetuar më 05-05-2023, 13:56

Nga Erion Dasho

Në një situatë të paprecedent, këngëtarë dhe artistë të shquar shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë janë përfshirë në fushatën elektorale të Tiranës duke mbështetur Lalin nëpërmjet një serie podcast-esh.

Secili prej tyre ka të drejtën e përfshirjes në fushatë, si shprehje e lirë e bindjeve të veta politike. Ky model është veçanërisht i njohur në SHBA, por (në dijeninë time, të paktën) më pak i njohur dhe i aplikuar në Europë.

Personalisht, kam disa observime:

1. Në ndryshim nga SHBA-të ku artistët nuk marrin sponsorizime nga bashkitë apo ministritë, në Shqipëri shpesh janë këto institucione që financojnë projekte të rëndësishme artistike. Bashkia Tiranë duhet të shprehet urgjentisht nëse artistët që kanë mbështetur Bashkinë dhe Lalin këto ditë janë ose jo përfitues financimesh.

2. Në botë është i njohur modeli sipas të cilit podcast-e si këto që kemi parë këto ditë bëhen kundrejt pagesave direkt. Nuk ka asgjë të keqe nëse Lali ka përdorur një pjesë të fondit të fushatës për të blerë shërbime marketingu nga artistët në fjalë. Në kuadrin e transparencës financiare të fushatës, përsëri duhet deklaruar nëse ka patur pagesa të tilla dhe sa kanë qënë ato.

3. Në rastin e Rita Orës nuk jam i qartë nëse ajo ka edhe shtetësinë shqiptare përveç asaj angleze. Shumë vende kanë ligje tepër të rrepta për përfshirjen në fushatë elektorale të shtetasve të huaj. Sërish një sqarim do të ishte i nevojshëm.

E drejta e shprehjes së bindjeve politike është një e drejtë themelore e Çiljetës, Ritës, Ermalit dhe gjithë kolegëve të tyre. Kjo përfshin edhe të drejtën për të mbështetur individin që prishi teatrin. Por nëse ata janë paguar direkt apo indirekt për këtë mbështetje, kjo është diçka që votuesit e Tiranës duhet ta mësojnë sa më parë.

Për të mësuar nëse vota e 14 majit, përveç se me rritjen e pagave të mjekëve dhe bonusin e pensionistëve, po blihet ose jo edhe me paratë e projekteve artistike…