Transmetuar më 08-05-2023, 08:34

Qeveria ka hartuar ndryshime të reja ligjore për tatimin mbi pronat e patundshme duke synuar të vjelë sa më shumë të ardhura dhe të ndalë mundësinë e mospagimit të taksave përmes hapësirave ligjore.

Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat përcakton se vlera e berjes së tokës në rastin e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë për tokën, me të drejtën e pronësisë së ndërtesës, e cila ndërtohet në atë vend, di të përllogaritet mbi çmimin e referencës së tokës për metër katror të miratuar me vendim qeverie për qytetet dhe zonat brenda qytetit.

“Çmimi i shitjes llogaritet me një referencë të vlerës së tregut të pronës së patundshme të fituar në këmbim të tokës, duke marrë parasysh të gjitha pjesët e sipërfaqes së ndërtimit nga të cilat përfiton pronari i tokës.

Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme.

Metodologjia për llogaritjen e çmimit të blerjes dhe të shitjes përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”- thuhet në ligjin e ri.

Ky lloj tatimi mbi të ardhurat personale që lidhen me të ardhurat nga investimet nga tjetërsimi i pasurive të patundshme, sipas ligjit të ri, do të duhet të paguhet nga personi fizik që transferon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e patundshme, para regjistrimit të pasurive të mësipërme në regjistrin e pasurive të patundshme.

Institucioni përgjegjës i regjistrit të pasurive të paluajtshme nuk e regjistron pasurinë e patundshme, derisa pagesa e tatimit të jetë konfirmuar.

“Institucioni përgjegjës për regjistrimin e pasurive të patundshme transferon brenda datës 20 të muajit në vijim në llogarinë e administratës tatimore tatimin e mbledhur.

Ministri përgjegjës për financat dhe institucioni që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të patundshme përcaktojnë me udhëzim të përbashkët kushtet, procedurat dhe metodologjinë për zbatim”- thuhet në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Ndërkaq, ndryshime ligjore janë bërë edhe për pronat e trashëguara apo dhuruara, lexoni më shumë këtu:

Skemë e re tatimesh për pronat, taksohen edhe trashëgimitë. Ndryshon sërish ligji