Transmetuar më 17-05-2023, 13:00

Në foto: Qyteti Xian që pret samitin Kinë-Azi Qendrore

Në qytetin Xian të Kinës Veriperëndimore, pritet të hapet nesër (e enjte), Samiti Kinë – Azi Qendrore. Me ftesën e palës kineze, në këtë veprimtari do të marrin pjesë presidentët e Kazakistanit, Kirgizistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.

Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike tre dekada më parë, Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore kanë zhvilluar partneritete strategjike dhe kanë gjetur një rrugë të re të fqinjësisë së mirë, miqësisë e bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, duke krijuar kështu një model të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë 30 vjetëve të fundit, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë shtuar njohjen e ndërsjellë dhe afrimin nëpërmjet shkëmbimeve të ndërsjella.

Deri vjet, ndërmjet të dy palëve ishin krijuar 58 binjakëzime qytetesh dhe në vendet e Azisë Qendrore ishin hapur 13 institute "Konfuci" dhe 22 klasa "Konfuci".

Shumë universitete kineze kanë krijuar gjithashtu qendra kërkimore që përqendrohen në vendet dhe gjuhët e Azisë Qendrore.

Hekurudha Ekspres e Kinës, e cila kalon nëpër Azinë Qendrore, ka pasur gjithashtu një rritje të shpejtë. Qendra e montimit e kësaj hekurudhe në Xian ka 17 linja kryesore nga ky qytet për në vendet e Azisë Qendrore, duke u bërë një "kanal i artë" për logjistikën e dyanshme Kinë-Azi Qendrore.

Treni i mallrave "Chang’an" i Hekurudhës Ekspres të Kinës ka kryer mbi 160 000 udhëtime në dhjetë vjet që nga vënia në qarkullim në vitin 2013.

Gazsjellësi Kinë – Azi Qendrore, që përshkon Turkmenistanin, Uzbekistanin e Kazakistanin dhe lidhet me Rajonin Autonom të Xinjiang- Ujgurit të Kinës, është tubacioni i parë transkombëtar i gazit në Kinë.

Ky gazsjellës ka dërguar më shumë se 400 miliard metra kubë gaz natyror në Kinë që nga viti 2009.