Transmetuar më 18-05-2023, 12:15

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias përsëriti thirrjet drejtuar autoriteteve shqiptare për të liruar nga paraburgimi Fredi Belerin, fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës.

Në pohimet e bëra për Star TV, shefi i diplomacisë greke paralajmëroi se kjo situatë mund të ketë një ndikim serioz në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Nuk po ushtojmë presion dhe as po bërtasim. E duam miqësinë me Shqipërinë, por jo me çdo kusht”, është shprehur ai. Dendias shtoi më tej se të hënën do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, e do ta paraqesë edhe atje çështjen e Belerit.

“Do të jem në Bruksel të hënën në mëngjes. Aty kemi një drekë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Çështja duhet të ngrihet në Këshillin e Ministrave. Është e pamundur të mos përmendet. Nuk është normal ndalimi i një kandidati për kryetar bashkie 48 orë para zgjedhjeve dhe mbajtja e tij në paraburgim. Përse po mbahet në qeli? Çfarë rrezikshmërie paraqet ai që kërkon ndalim të zgjatur? Këto janë pyetje të mëdha”, ka nënvizuar Dendias, që paralajmëroi edhe një takim me ministren e Jashtme, Olta Xhaçkën.

“Ka shumë gjasa të takoj personalisht edhe ministren e jashtme. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të thënë disa fjalë”, vazhdoi më tej. I pyetur nëse kjo çështje do të ndikojë edhe lidhur me marrëveshjen e detit në Hagë, Dendias tha se shpreson që veprimi i autoriteteve gjyqësore shqiptare të mos sjellë dhe një ndryshim të qëndrimit politik