Transmetuar më 22-05-2023, 19:50

Shkencëtarët bënë thirrje të dielën për rritjen e bashkëpunimit shkencor e teknologjik në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao dhe anembanë botës për të trajtuar sfidat e përbashkëta, që nga ndryshimi klimatik deri te plakja e popullsisë.

Gati 100 akademikë dhe ekspertë nga Kina dhe vende të tjera po marrin pjesë në Forumin Shkencor të Zonës së Madhe të Gjirit, i cili nisi të shtunën në kryeqendrën e provincës Guangdong të Kinës Jugore, Guangzhou.

Nancy Yuk-Yu Ip, rektorja e Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë të Hong-Kongut, bëri thirrje për maksimalizimin e forcës së Zonës së Madhe të Gjirit si një qendër inovative dhe ekonomike, për t’u përgatitur për plakjen e popullsisë.

Sipas saj, duhet të forcohet bashkëpunimi ndërdisiplinor, ndërrajonal dhe ndërsistemor.

Kina ka planifikuar të ndërtojë një qendër globale risish dhe teknologjish në Zonën e Madhe të Gjirit, ku e kanë selinë shumë gjigantë teknologjikë dhe kompani inovative fillestare, si edhe një grup në rritje institutesh shkencore dhe universitetesh.

Laureati i çmimit "Nobel" Samuel Chao Chung Ting tha në forum se Kina ka fizikanë eksperimentalë të nivelit botëror.

Sipas tij, fizikanët kinezë kanë imagjinatë, si edhe kapacitet e përvojë për të zhvilluar teknologji të reja, për të udhëhequr bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të dhënë kontribut të rëndësishëm në dijen njerëzore.