Transmetuar më 24-05-2023, 13:38

Ambasadori i ri i Kinës nxit SHBA-të t’i kthejë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur

NJU JORK – Kina ka një ambasador të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi mbërriti në Nju Jork, Xie Feng pohoi se dy vendet janë duke u përballur me sfida serioze dhe bëri thirrje që Uashingtoni të kthejë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur.

Të martën, ambasadori i ri i Kinës në ShBA, Xie Feng, e nxiti Uashingtonin të bashkëpunojë me Pekinin për të shtuar dialogun, për të menaxhuar dallimet dhe për të rritur bashkëpunimin, me synimin për t’i kthyer marrëdhëniet kino-amerikane në rrugën e duhur.

“Si përfaqësues i popullit kinez, kam ardhur këtu për të garantuar interesat e Kinës dhe unë e shoh këtë si përgjegjësinë time të shenjtë,” tha Xie për mediat pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar "John F. Kennedy" të Nju-Jorkut.

Duke e pranuar që marrëdhëniet Kinë-ShBA po përballojnë "vështirësi dhe sfida serioze", Xie tha se ai do të zbatojë përgjegjësitë e tij dhe shtoi se për këtë, do të përpiqet me zell dhe vullnet.

Duke ritheksuar parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të dyanshme – të parashtruara nga lideri kinez për marrëdhëniet kino-amerikane – Xie u shpreh se kjo përfaqëson bazën dhe rrugën e drejtë për marrëdhëniet dypalëshe në epokën e re.

“Ne shpresojmë që SHBA do të ecë në të njëjtin drejtim me Kinën dhe do të veprojë në përputhje me interesat e përbashkët të të dy popujve dhe të botës, duke i trajtuar në mënyrë të përshtatshme çështjet e rëndësishme dhe të ndjeshme, si çështja e Tajvanit, sipas parimeve të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane,” theksoi ai.

Ambasadori Xie, 59 vjeç, është një diplomat veteran dhe ekspert për çështjet amerikane. Ai ka punuar në ambasadën e Kinës në SHBA nga viti 2008 deri më 2010.

Duke folur për postin e kaluar në Uashington, ai tha kur mbërriti të martën në Nju-Jork se bota dhe SHBA-ja kanë pasur ndryshime gjigante.

“Gjatë mandatit tim, unë shpresoj të kem shkëmbime të dendura me popullin amerikan nga të gjitha qarqet dhe të shikoj e të dëgjoj për këtë vend nga afër, duke eksploruar mënyrat për thellimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit,” tha Xie.

Ambasadori kinez theksoi gjithashtu se ai shpreson të krijojë miqësi me mediat dhe njerëzit nga sektorët e tjerë.

“Le të punojmë bashkë për marrëdhëniet Kinë-SHBA me njohuri e veprime, me guxim dhe vullnet,” u shpreh ai.

Xie është ambasadori i 12-të i Kinës në SHBA. Ambasadori i mëparshëm ka qenë Qin Gang, i cili tani është këshilltar shteti dhe ministër i Jashtëm i Kinës. Ai e përfundoi mandatin e tij në SHBA në muajin janar.

Komuniteti kinez në SHBA, si urë lidhëse mes dy vendeve

Me të mbërritur, ambasadori Xie u dërgoi letra komunitetit kinez dhe studentët kinezë në SHBA, dyke vlerësuar se ata shërbejnë si një urë që lidh dy vendet dhe është pjesë përbërëse e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai tha se shpreson që ata do të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre të vlefshëm për marrëdhëniet dypalëshe.

Diplomati vlerësoi gjithashtu studentët kinezë që kaluan vështirësi të shumta për të vijuar studimet dhe kërkimin shkencor në vendin në anën tjetër të Paqësorit dhe i inkurajoi ata “të paraqesin një Kinë të vërtetë para miqve të tyre amerikanë.”

“Te ju unë shoh forcën dhe vullnetin që karakterizon kombin kinez. Jam shumë krenar për ju,” thotë Xie në letrën e tij për studentët kinezë në SHBA. /noa.al