Transmetuar më 26-05-2023, 08:10

Transferimi i Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite nuk rezultoi siç pritej. Superylli portugez bëri një lëvizje shokuese tek Al Nassr në fund të vitit 2022. Kanë kaluar gati pesë muaj që kur CR7 u largua për herë të parë në karrierën e tij të jashtëzakonshme nga Europa.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka pasur një përzierje përvojash pozitive dhe negative me klubin e tij të ri. Koha e tij tek Al Nassr nuk ka qenë aq e suksesshme sa pritej fillimisht, duke çuar në thashetheme për një largim të mundshëm nga ekipi saudit. Në fakt, aktiviteti i fundit i të dashurës së tij në rrjetet sociale ka nxitur edhe më shumë spekulimet e ndryshme.

E dashura e Ronaldos, Georgina, “i vuri flakën” internetit pas postimit të saj të fundit në Instagram. Influencuesja spanjolle ka shpërndarë një foto të saj në pistë, duke zbritur nga avioni privat. Ajo gjithashtu saktësoi vendndodhjen e fotografisë, Madrid, Spanjë. Georgina ka postuar foton me mbishkrimin “Në rrugën time”, ndërsa ka etiketuar edhe markën e veshjeve sportive, “Alo Yoga”, të cilën e mbështet.

Është e njëjta markë që bashkëshortja e Lionel Messit, Antonella Roccuzzo, gjithashtu promovon dhe mbështet. Megjithatë, duke iu rikthyer fotos, padyshim që ka krijuar spekulime të shumta. Kjo edhe për lajmin e fundit të medias portugeze, që plas “bombën”: Ronaldo dhe Georgina nuk janë më bashkë, presin vetëm ta zyrtarizojnë divorcin e tyre.

Sipas medias portugeze "Gente", Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund lidhjes me Georgina Rodríguez. Léo Caeiro, miku i Dolores Aveiro, garanton se ylli dhe modelja “nuk janë më bashkë”. “Besoj se Cristiano do ta shpallë së shpejti ndarjen dhe do të kërkojë respekt. Jam absolutisht i sigurt”, – thotë ai.

Ndër shkaqet e prishjes së lidhjes duket se janë qëndrimet gjithnjë e më egocentrike të Gios. Për pasojë, ylli portugez ka qenë gjithnjë e më i zhgënjyer me partneren e tij. “Georgina nisi të mburrej shumë, filloi të fokusohej vetëm te vetja dhe harroi se aty ishte një Ronaldo.

Cristiano është një person krejt tjetër dhe ka një përplasje të madhe mes të dyve. Ato janë personalitete krejtësisht të ndryshme. Georgina në fillim ishte një person i ndjeshëm, por me kalimin e kohës papritur u bë një person që jeton vetëm për para, famë dhe video në Instagram”, – thotë Léo Caeiro.

Më së fundi duket se Dolores, nëna e tij, ulet pranë Cristianos dhe Georgina kalon në skajin tjetër të hierariksë. Marrëdhënia e tensionuar mes modeles dhe nënës së CR7 duket të jetë një tjetër arsye që ‘peshoi’ në vendimin e Cristiano Ronaldos. Léo Caeiro thekson se Georgina nuk shkon mirë me Dolores Aveiro dhe se ajo nuk dëshiron as të bëjë foto me të.

“Kur Georgina mori vesh se mamaja Dolores do të ulej pranë djalit të saj, u ngrit dhe shkoi në skajin tjetër të tavolinës dhe nuk qëndroi kurrë pranë Cristianos. Georgina është një person shumë i ftohtë dhe materialiste”, – shton ai.

Georgina Rodríguez u zhvendos me fëmijët e saj në Madrid të Spanjës dhe e la yllin portugez vetëm në Arabi, me Cristianinhon, – konfirmon Léo Caeiro.