Transmetuar më 28-05-2023, 12:51

Dibër- Një 46-vjeçar në Dibër është arrestuar, pasi ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe djalit 17-vjeçar. Haxhi Shtjefni ka kanosur me armë gjahu çifte se do t’i vriste, konflikt ky që dyshohet se ka nisur për motive xhelozie.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari ka kanosur familjarët e tij.

Policia vendore informon se ‘një ngjarje e mundshme kriminale në një familje është parandaluar falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë. Në fshatin Trepç, në njësinë Administrative Melan të Dibrës, një 46-vjeçar ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre të mitur, ndërsa i ka kërcënuar ata me armë gjahu. Policia ka bërë ndërhyrjen e menjëhershme dhe ka arritur të arrestojë shtetasin 46-vjeçar në flagrancë.

Motivi i sulmit të dhunshëm ishte xhelozia, dhe gjatë incidentit, 46-vjeçari ka shkaktuar dëmtime fizike të rënda në bashkëshorten dhe djalit të tyre 17-vjeçar. Ai gjithashtu i ka kërcënuar ata me vrasje me armë gjahu. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë, arma e gjahut, me të cilën 46-vjeçari kërcënoi familjarët, është sekuestruar.

Materialet procedurale të rastit janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Dibër për veprime të mëtejshme.