Transmetuar më 19-02-2024, 10:05

Fati i Tuchel është "vulosur", nuk i duhej nokauti në "Olimpico" ndaj Lazios, pas disfatës që mori në Leverkusen në Bundesligë, për ta realizuar këtë. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë në gjendje të qëndrojë deri në fund të sezonit apo do të shkarkohet së shpejti. Drejtuesit e Bayernit, menjëherë pas disfatës në Romë, e konfirmuan dhe e mbrojtën trajnerin, duke tentuar të forcojnë pozicionin e tij, por tensionet dhe paqartësitë mbeten.

Lidershipi i ri bavarez ishte në pritje të një sinjali nga Bochum. Ish-trajneri i Dortmundit, PSG-së dhe Chelsea duhej të fitonte për t’i rikthyer kuptimin kampionatit dhe për të ruajtur ndjekjen hipotetike të Bayer Leverkusen, shumë favorit për titull. Humbja 3-2 në këtë transfertë e ka përkeqësuar skajshëm situatën te kampionët në fuqi të Bundesligës. Divorci pritet në qershor.

Thashethemet në lidhje me pasardhësin e tij vazhdojnë të shtohen në Gjermani. Në garë për stolin bavarez janë përmendur edhe tre emra. Flick, ish-trajneri i Bayernit dhe i kombëtares gjermane, që është kandidati më autoritar. Jose Mourinho, i shkarkuar nga Roma, do të rikthehej menjëherë në aksion. Antonio Conte ka qenë gjithashtu i lidhur me pankinën bavareze. Jurgen Klopp, pas largimit nga Liverpool në verë, do të ishte ëndrra e shumë gjermanëve.

Realisht, drejtuesit e Bayernit, kanë kontaktuar edhe me Zinedine Zidane. Francezi, jashtë fushave që nga viti 2021, do të ishte zgjedhja e parë për ta pasuar Tuchel në verë. Nuk është e qartë nëse ai do ta pranonte punën menjëherë. Zidane ka qenë i lidhur edhe me Juventusin disa herë në të kaluarën, por hipoteza kurrë nuk mori formë. Rikthimi i tij i mundshëm në Madrid mund të përjashtohet, me zgjatjen e kontratës së Ancelottit.

Pankina e Francës mbetet ëndërr për Zidane, por Deschamps hapi një rrugë të re pas Botërorit të Katarit. Sot për sot, "Zizou" është emri i parë në mendimet e Bayernit. Imazhet e Tuchel në "Olimpico" ishin denoncuese: dhoma e zhveshjes po i del jashtë kontrollit, ai ka gjysmën e ekipit kundër.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd