Transmetuar më 19-02-2024, 10:56

TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka ndarë në rrjetet sociale një video të një qytetareje që flet për gjirin e Kakomesë. Sipas Belerit prona në fjalë u përket banorëve vendas dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ai gjithashtu shprehet se në këtë gji kryeministri Edi Rama ka dhënë leje për një fshat turistik, sigurisht pa i dëmshpërblyer pronarët legjitim, madje pa i pyetur ata.

POSTIMI I PLOTË:

Nuk e njoh zonjën e nderuar. Nuk e di për kë voton, a voton apo jo, nëse ndihet greke apo shqiptare, por dua të shpreh respektin maksimal për ato që thotë dhe gjej rastin t’ju informoj për një aspekt të panjohur të çështjes lidhur me Kakomenë. Kakomea është një gji i bukur që emrin e mori nga manastiri që ndodhet aty. Është simboli i vjedhjes së vazhdueshme të pronave në zonën tonë nga shteti. Prona në fjalë u përket banorëve vendas dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Qeveria Rama ka dhënë leje për një fshat turistik, sigurisht pa i dëmshpërblyer pronarët legjitim, madje pa i pyetur ata.

Një personazh i famshëm televiziv, nga mbështetësit më fanatikë të qeverisë lidhur me ndalimin dhe burgosjen time të paligjshme, i cili fton në emision edhe patriotë të tjerë fanatikë që dezinformojnë publikun duke më sharë me gënjeshtra pa fund, është kontraktuar lidhur me realizimin e punimeve të ndryshme për të mbështetur investitorin strategjik për të përfunduar investimin, sigurisht duke patur edhe përfitimet përkatëse.

Shtrohet pyetja: Si është e mundur që policia, SPAK, Gjykata Speciale, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese bëhen një me hajdutët e pronave? Nuk besoj se po e bëjnë për arsye patriotike, siç pretendojnë, sepse banorët kërkojnë që prona e prindërve të tyre të zhvillohet aty ku është dhe jo ta zhvendosin në Korfuz. Është e qartë se motivet janë ekonomike ose, në rastin më të mirë, politike, gjë e cila është po aq e dënueshme. Broçkullat me patriotizëm janë bar për naivët.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd