Transmetuar më 20-02-2024, 07:58

Keqardhja e madhe e Adriano Gallianit është Zlatan Ibrahimovic. Drejtori i përgjithshëm i Monza thotë se suedezi mund të kishte jetuar më shumë vite me kuqezinjtë, me kampionin tashmë 42-vjeçar në rolin e menaxherit te "Djalli".

Në fakt, Ibra mund të kishte mbërritur në Milanello që në vitin 2006, pra 4 vite para 2010-ës, kur u largua nga Barcelona për t’u kthyer në Milano për herë të dytë në karrierë, pas Interit. "Ariedo Braida ishte duke negociuar detajet përfundimtare, kontrata ishte gati në vitin 2006 për ta sjellë atë te Milani, – zbuloi  Galliani. –

Më pas ndërhyri ‘Calciopoli’. Milani fillimisht u rrëzua në Serie B, më pas u ripranua në Serie A me një penaltitet prej 30 pikësh. Pavarësisht dënimit, ne u kualifikuam në Champions League, por atëherë ishte vonë. Për të njëjtat arsye, Ibra po largohej nga Juventusi dhe në ato kushte Interi na parakaloi".

Megjithatë, mundësia për shpagim erdhi në vitin 2010: "Në vitin 2009, Zlatan shkoi te Barcelona për 70 milionë euro dhe nuk mund ta kisha menduar kurrë se pas një viti do të dëshironte të largohej. Merita shkoi për mikun tim të madh Mino Raiola, i cili tashmë dinte gjithçka.

U ula këmbëkryq në shtëpinë e Ibrës derisa ai, gruaja dhe fëmijët e tij hipën në avionin e Silvio Berlusconit për në Milano. Pas lamtumirës më 2012, ai nuk më foli për dy vite, mendoi se e kisha tradhtuar. Ai donte të qëndronte te Milani, shitja te PSG ishte keqardhja ime më e madhe".

Të dy mund të takoheshin përsëri, por nuk kishte asgjë për t’u bërë: "Po, është e vërtetë, u përpoqa ta marr Zlatan te Monza, si futbollist apo në ndonjë rol tjetër. Por dashuria e tij për Milanin ishte më e fortë se gjithçka”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd