Transmetuar më 20-02-2024, 00:00

Demokratët janë thirrur këtë të martë pasdite të mblidhen në bulevardin kryesor të Tiranës në një protestë kombëtare e cila organizohet nga mbështetësit e Sali Berishës në të njëjtën ditë kur 33 vjet më parë antikomunistë u mblodhën në sheshin "Skënderbej" për të rrëzuar monumentin e diktatorit Enver Hoxha.

Belind Këlliçi, ish kryetar i të rinjve demokratë dhe aktualisht drejtues politik i Partisë Demokratike për Tiranën, thotë se për herë të parë një protestë e thirrur nga opozita, do të drejtohet nga qytetarët.

Sipas tij, 20 shkurti është “pika e ujit që do derdhë kupën” dhe protesta do të drejtohet nga qytetarët e shumtë që do të jenë të pranishëm.

“Për herë të parë kemi vendosur që të lëmë vetë qytetarët që të diktojnë axhendën dhe skenarin e protestës”, thotë Këlliçi.

Ndaj vijon ai, “ky është një moment reflektimi dhe sensibilizimi për çdo qytetar shqiptar ku do të duhet të reflektojmë mbi ecurinë e Shqipërisë sidomos në këtë dekadën e fundit”.

I ndalur më në detaje për demonstratën antiqeveritare të mbështetësve të Sali Berishës, aktualisht prej afro 2 muajsh nën arrest shtëpiak, Këlliçi shpjegon:

"Kjo protestë kombëtare do të fillojë në 17:30, e thirrur nga opozita. Gjithë drejtuesit e PD-së prej më shumë se 10 ditësh janë në terren duke zhvilluar takime të ndryshme jo vetëm me strukturat e partisë por dhe me qytetar të ndryshëm.

Do të jetë një protestë masive, një protestë e madhe. Dihet fillimi, por nuk dihet fundi pra nuk dihet pikërisht se kur mbaron”.

Sakaq Belindi thekson: “shqetësimi kryesor kur takojë qytetarët të ndryshëm është se i ka ardhur fundi atij modeli proteste që mblidhen 60 minuta dhe shpërndahet.

Qytetarët duan një protestë të fuqishme, kërkojnë me ngulm një protestë të ashpër dhe kërkojnë që të ketë një reagim shumë të fortë. Po kjo nuk do të thotë që ne të thërrasim qytetarët dhe të bëjmë një përplasje fizike”.

Protesta do të ketë në sfond një ekran të madh në të cilin përmes lidhjes direkte do të mbajë një fjalim, ish-kryeministri Sali Berisha.

“Për shkak të zhvillimeve teknologjike edhe Berisha do të jetë i pranishëm në protestë”, thotë Këlliçi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd