Transmetuar më 20-02-2024, 09:28

Mesfushori turk i Egnatias, Melih Ibrahimoglu, ka dhënë mendimin e tij për disfatën e javës së 24-t të Superiores, me rezultatin 2-1, në "Loro Borici", ndaj Vllaznisë vendëse.

Ibrahimoglu, humbët përballë një rivali direkt për kreun. Çfarë ndodhi ndaj Vllaznisë?

"Aksidente" të tilla gjatë rrugës së një kampionati të gjatë mund të ndodhin. Unë iu besoj shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit. Ne jemi një ekip shumë i fortë, kjo disfatë do të na bëjë më të fortë.

Do të luani në kupë ndaj Laçit, çfarë prisni nga kjo transfertë?

Dua të bëhem kampion dhe të fitoj të gjithë trofetë në Shqipëri. Ne i aspirojmë të gjithë trofetë me klubin tonë.

Si ka ecur procesi i përshtatjes në futbollin shqiptar?

Ky është një kampionat i vështirë, ka rivalitet të madh. Klubet janë të strukturuara dhe të forta. Nuk mund të them se kam dhënë ende 100%. Procesi im i përshtatjes vazhdon. Shpresoj të arrij suksese të mëdha sa më shpejt të jetë e mundur.

Çfarë ju bindi të zgjidhnit Egnatian?

Menaxheri im Emrah Akcaay pati kontaktin e parë me Egnatian. Nuk mund ta refuzoni interesin e një klubi kaq të vendosur për të bërë histori. Presidenti ynë i nderuar, drejtori sportiv dhe drejtori teknik më pritën shumë mirë. Ishte një pritje e ngrohtë për mua, ndaj dua të kem sukses. E admiroj pasionin e fansave të Egnatias. Kam ardhur këtu për të qenë kampion. Këtu do të marr trofetë e parë të karrierës.

Cili është synimi juaj me klubin rrogozhinas?

Ky qytet, këta tifozë dhe ky klub meritojnë kampionë. Le të besojmë se do të festojmë titullin në fund të sezonit. Unë do të jap gjithçka që kam. Do të ngremë trofe dhe do të marrim pjesë në Champions League.

Çfarë evidentoni në Shqipëri, përtej futbollit?

Qyteti ku jetoj është i qetë dhe i bukur. Këtu është një vend i mrekullueshëm. Sidomos në ditët e ndeshjeve, pasioni i tifozëve tanë më bën shumë përshtypje.

Cilat janë ndryshimet mes kampionateve elitare të Europës dhe Superligës Shqiptare?

Kjo është një ligë në zhvillim. Janë të shumtë futbollistët e Superligës Shqiptare, që ia kanë dalë më pas në klubet elitare të kontinentit. Po bëhet një punë e mirë.

Çfarë iu premtoni fansave të Egnatias?

Le të na besojnë, kam ardhur këtu për të fituar trofe. Do ta shohim në fund të sezonit, por titullin duam ta përjetojmë së bashku.

Cili është idhulli juaj?

Andrés Iniesta

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd