Transmetuar më 20-02-2024, 11:15

Gjykata e Lezhës ka dënuar me nga 30 vite burg, Oltion Vlashin dhe Klaudio Përkolen si bashkëpunëtor në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit 2020 në një lokal në Kurbin.

Dy të rinjtë u gjeten fajtor për veprat penale “vrasje e kryer në bashkëpunim” dhe “armëbajtje pa leje”, ndërsa vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sokol Shehu.

Këtë masë dënimi kishte kërkuar edhe prokuroria e Lezhës, e cila arriti të provoje se dy personat të cilët vijojnë të jenë në arrati kanë qenë bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë.

Me herët për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit është dënuar me burgim të përjetshëm Eduart Lamaj në rolin ekzekutorit dhe me 33 vite burg Ilir Likaj (Xhepaj) në rolin e ndihmësit në këtë krim.

Ky i fundit u arrestua disa muaj pas ngjarjes në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduart Lamaj u prangos teksa merrte mjekim në ambientet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”, pasi kishte mbetur i plagosur në këmbë nga shkëmbimi i zjarrit me njërin prej viktimave, shtetasin Bujar Lika.

Ky episod ndihmoi policinë në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa motivet e ngjarjes vijojnë të mbeten të paqarta.

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan me breshëri plumbash teksa po pinin kafe në një lokal në anë të autostradës Milot-Thumanë, ndërsa 4 autorët vepruan me një automjet tip golf 5 me të cilin edhe u larguan.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd