Transmetuar më 20-02-2024, 15:18

Në protestën e sotme të opozitës që do të mbahet në Tiranë, nuk do të jenë të pranishëm Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët raportohet se ndodhen jashtë vendi për arsye personale.

Ndërkohë që sa i takon fjalimeve që do të mbahen në protestën e sotme, ato do të kenë disa protagonistë, nga Sali Berisha, i cili do t’i drejtohet mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i tij, te Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe aleatët e tjerë në opozitë.

Mësohet se opozita ka marrë leje në polici për rreth 5 orë për zhvillimin e protestës. Sipas Policisë së Shtetit në kuadër të masave të marra për protestën, në terren do të jenë 1100 forca policie duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës. Në gatishmëri pritet të jenë edhe forcat RENEA. Gjithashtu do të bllokohen disa segmente rrugore dy orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj.

Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, ndërsa përgjatë gjithë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" janë instaluar kamera me rezolucion të lartë. Segmentet rrugore që janë të bllokuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Në terren do të jenë 1100 efektivë, përfshirë ata të policisë, nga FNSH, nga Shqiponja, Garda dhe RENEA. Për monitorimin e protestës nga brenda do të përdoren edhe agjentë civilë.

Kujtojmë se në të gjithë Bulevardin janë vendosur kamera me rezolucion të lartë dhe Kryeministria me dyer të blinduara.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd