Transmetuar më 20-02-2024, 18:25

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ishte i pari që mori fjalën në protestën e sotme para kryeministrisë.

Ai tha se ndryshe nga herët e tjera, kjo protestë i gjen të bashkuar.

“Ajo që na ka sjellë këtu është e sotmja, ulërima e qytetarit, dëshira e tij për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protest, është grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet çdo ditë, është revolta e të rinjve, të cilëve duan t’ia shpifin këtë vend dhe e nxisin të largohet nga sytë këmbët, është ofshama e atij pensionisti i cili pret lëmoshën.

Është drama e qytetarit shqiptar. Ndryshe nga herët e tjera, sot të dashur demokratë ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Diktaturat nuk mund të lulëzojnë nëse ne jemi të bashkuar. Ne sot vijmë të bashkuar për të marrë nga historia jonë guximin”, tha Boçi.

Boçi tha se demokratët duhet të vijojnë betejën, të cilën nuk e cilësoi si të lehtë. Por ai tha se nuk do të dorëzohen dhe do të vijojnë luftën.

“Me ne sot janë të gjithë qytetarët shqiptarë. Me forcën e këtij besimi do rrëzojmë këtë regjim dhe do marrim zvarrë ngrehinën e korrupsionit. Lufta jonë është e vështirë, e pabarabartë, lufta jonë kërkon sakrifica, por është lufta më e drejtë dhe më e madhe”, tha Boçi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd