Transmetuar më 21-02-2024, 09:22

Ndeshja, siç pritej gjerësisht, nuk ishte ndër më të lehtat, por Interi arriti të fitojë minimalisht, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme. Skuadra zikaltër fitoi 1-0 në “San Siro” kundër Atletico Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Pra, i dha vetes një avantazh të vogël përpara ndeshjes së kthimit në kryeqytetin spanjoll.

Ndeshja u vendos nga Marko Arnautovic, i cili, duke marrë “stafetën” e Thuramit të dëmtuar, në minutën e 79-të zhbllokoi rezultatin e bardhë. Simone Inzaghi, duke folur për “Mediaset”, e komentoi kështu ecurinë e skuadrës së tij:

“Kjo ndeshje më la me një ndjenjë shumë të mirë. Djemtë bënë paraqitje të jashtëzakonshme ndaj një ekipi fiziko-teknik, ndaj një kundërshtari të madh. Kemi keqardhje që fituam vetëm me një gol diferencë, sepse ky ishte vetëm akti i parë i këtij dueli. Akti i dytë në Madrid do të jetë shumë intensiv.

Jam i lumtur për Arnautovic, për mënyrën se si hyri në lojë, si shënoi dhe si po punon në stërvitje. Nuk patëm një pjesë të parë të mirë, edhe pse mund të kishim shënuar. Më pas, në pjesën e dytë ishim sensacionalë dhe kushdo që hyri në lojë na dha një dorë të madhe. Lëndimi i Thuram? Pati probleme pas një sprinti, ndjeu forcimin e muskujve, por do ta vlerësojmë në ditët në vijim. Shpresojmë të mos e humbasim gjatë.

Ecuria e Interit? Në këto gjashtë muaj kemi bërë shumë mirë, por tani po vijnë momentet më të rëndësishme. Më pëlqen shumë të shoh se si luan skuadra, por e dimë se na presin vështirësi të tjera. Duhet të punojmë siç po bëjmë dhe të vazhdojmë kështu.

Performanca e Barella ishte e shkëlqyer. Ai zhvilloi një ndeshje të mirë, si të gjithë shokët e tjerë të skuadrës”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd