Transmetuar më 21-02-2024, 10:21

“Nuk e prisja zëvendësimin në stolin e Napolit, por për ne nuk do të ndryshojë shumë”. Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes mes Napolit dhe Barcelonës, trajneri katalanas Xavi Hernandez e nisi nga shkarkimi i Mazzarrit dhe ardhja e Calzona:

“Ishte një zgjedhje befasuese, do të përballemi me një trajner të ri, që nuk e njohim. Si do të ndryshojnë axurrët? Nuk e di, por e vërteta është se pak do të ndryshojë për ne. Me Mazzarri testuan module të ndryshme, por përtej trajnerit kundërshtar, dua që ekipi im të ndihet rehat dhe të dominojë ndeshjen".

Xavi nuk thotë shumë për përqindjet e kualifikimit: "Duam të arrijmë në çerekfinale, kam shpresa të mëdha dhe mendoj se do të luajmë një ndeshje të madhe. Nuk ka favoritë, kualifikimi është i hapur, 50 me 50 për qind.

Si Napoli, edhe ne fituam titullin, por sezoni ynë ka qenë më pak se i rregullt për momentin. Sidoqoftë, të gjitha këto diskutime do të mbeten në letër, sepse do të flasë fusha. Do të përballemi me një ekip të madh, – vazhdoi Xavi, – i cili fitoi titullin sezonin e kaluar. Napoli ka tre sulmues të nivelit të lartë, si Politano, Osimhen dhe Kvaratskhelia”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd