Transmetuar më 21-02-2024, 11:16

Shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale, vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe gjyshja e të miturit).

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast.

Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula

Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Show”.

Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit Armando Kumaraku, 44 vjeç dhe Natasha Rombula, 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd