Transmetuar më 21-02-2024, 18:50

Atë që nuk kanë guxuar as Basha dhe as Berisha ta kërkojnë gjithë këto kohë, duket se po e bën një tjetër eksponent i opozitës, ish ministri i Jashtëm Arjan Starova, prej vitesh kryetar i partisë Bashkimi Liberal Demokrat.

Starova është një prej propozuesve të Federatës së Bashkuar të Opozitës.

Ai deklaroi sot se opozita, tashmë e bashkuar si kurrë më parë, është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që zyrtarisht ato janë paraparë për në prill ose maj 2025.

Ish kryediplomati shpreh bindjen se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe për këtë Federata e Opozitës po i paraprin angazhimit të saj duk u institucionalizuar si një trup i vetëm.

“Në takimi e parë të Federatës së Opozitës u parashtruan dy objektiva që kanë të bëjnë me ligjin zgjedhor sepse jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve, të cilat besoj shumë që do jenë të parakohshme”, thotë Starova.

Duke pohuar se tashmë është fakt që opozita është e bashkuar, Starova thotë se tani kemi të bëjmë me një opozitë të vetme që funksionon si Federatë e Opozitës apo e partive opozitarë.

Ndërsa në përgjithësi, kjo federatë ka për qëllim të organizojë aktivitetin opozitar, pjesë kryesore e punës së saj sipas Starovës është përgatitja për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do ti jepnin fund pushtetit gati 11 vjeçar të kryesocialistit Edi Rama.

Duke komentuar protestën e 20 shkurtit, Starova thotë se, pjesëmarrja e madhe dje, tregon qartë se përveç faktit që njerëzit janë të mërzitur tregon dhe se e prisnin këtë bashkim të grupimit politik opozitar.

“Në konceptim e bashkimit të diversitetit, ashtu si dhe partitë politike që kanë mendime dhe vizione të ndryshme ashtu dhe dje kishte pjesëmarrje të ndryshme në protestë të shoqërisë sonë”, thotë Starova.

Për nismëtarin e federatës opozitare, vendit i duhet një ndryshim madhor në politik dhe një qeverisje tjetër.

“I gjithë ky koalicion ka një parti të rëndësishme që është Partia Demokratike, dhe e kam fjalën për atë që drejton sot Sali Berisha. Sepse shumica është një parim në demokraci dhe fronti opozitar nuk vendoset me ligj", – thotë Starova, duke qartësuar kështu se kjo federatë nuk mund të njohë si parti kryesore, Partinë Demokratike të njohur me vendim gjykate e cila është tkurrur shumë, por PD që ka shumicën dhe që ka për lider ish kryeministrin Sali Berisha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd