Transmetuar më 21-02-2024, 18:49

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për dhënie Amnistie”, duke përfshirë dhe shtesa të minutës së fundit

Amnistia e të burgosurve ka marrë një pikë kthese në miratimin final në Komisionin e Ligjeve ku është propozuar përfshirja si grup përfitues nga ligji edhe për zyrtarë të lartë të dënuar nga gjykata e Posaçme e SPAK.

Ky propozim i miratuar ka sjellë edhe debate politike ku palët mazhorancë – opozitë akuzojnë njëra tjetrën për amnistim të zyrtarëve të korruptuar.

Qeveritë shqiptare në të shkuarën janë kujdesur që të përjashtojnë nga Amnistia Penale të dënuarit për krime të rënda, zyrtarët e dënuar për korrupsion dhe anëtarët e krimit të organizuar.

Por ndryshe nga amnistitë e viteve të kaluara, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve i hapën rrugën të martën përfshirjes së zyrtarëve publikë të dënuar për korrupsion apo shpërdorim detyre në kategorinë e përfituesve, duke keqpërdorur një amendament të dorëzuar në Kuvend nga opozita.

Por kush ishte ndryshimi që ngriti këtë debat?

Në draftin paraprak të dorëzuar në Kuvend më 7 dhjetor 2023, në nenin 5, pika 2 parashikohej edhe përjashtimin nga përfitimi i zbritjes së dënimit 1 vit burg për burrat dhe 1 vit e 6 muaj për gratë, e të dënuarve nga gjykata e Posaçme për veprat penale që lidhen kryesisht me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe korrupsionin e gjyqtarëve apo prokurorëve.

Por në miratimin e djeshëm është bërë ky ndryshim: Në nenin 5 pika 2 e tij shkurtohet dhe hiqet germa C, duke i dhënë të drejtën uljes së dënimit që gjykata ka dhënë për ish-zyrtarë, prokurorë apo gjyqtarë deri më 31 janar 2024.

Ndërkohë një tjetër ndryshim që iu bë ligjit ishte pushimi i hetimeve apo gjykimeve për të gjithë ata zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët që mund të dënohen deri në 2 vjet, por jo për veprat korrupsion dhe shpërdorim i detyrës.

Në një raport të rtsh thuhet se këto ndryshime u kërkuan nga deputeti demokrat i grupimit të rithemelimit, Bledjon Nallbati, por ky i fundit e ka mohuar duke hedhur akuzën se përfshirja në përfitim të ish zyrtarëve të lartë është bërë nga relatori i çështjes, deputeti socialist Plarent Ndreca, i cili prej mëse një viti është bërë i njohur në media si analist proqeveritar në debate televizive.

Nallbati ka publikuar edhe një dokument që tregon propozimet e bëra ku asnjë prej pikave nuk kërkon ndryshimin e nenit 5.

Megjithatë, drafti final kaloi, sepse në përfundim të debatit, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për dhënie Amnistie”.

Si Ndreca prezantoi draftin e deputetit të Berishës

Në mbledhjen e zhvilluar online të martën, relatori i komisionit, Plarent Ndreca, ka prezantuar nenet e një amendamenti të depozituar nga deputeti i Sali Berishës, Bledjon Nallbati.

Ndreca paraqiti edhe ndryshimin e nenit 5, ku kërkohej shfuqizimi i gërmës që lidhej me përjashtimin nga ulja e dënimit e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky ndryshim në projektligj u jep ulje me 1 vit burg të dënuarve burra nga Gjykata e Posaçme dhe me 1 vit e gjysëm burg të dënuarve gra dhe të mitur nga e njëjta gjykatë – e cila shqyrton kryesisht vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe krimin e organizuar.

Ndryshimi i minutës së fundit u komentua edhe nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i pyetur nga BIRN pas mbledhjes, ia faturoi atë “amendamentit Nallbati”.

“Amendamenti i propozuar nga deputeti Bledjon Nallbati siguron parimin e barazisë para ligjit,” tha Manja.

Sakaq, një dokument parlamentar i parë nga BIRN të mërkurën tregon se përfshirja e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme në kategorinë e përfituesve u propozua dhe u përfshi në draftin e miratuar nga relatori Plarent Ndreca.

***

Këto ndryshime kanë shtuar gamën e qytetarëve përfitues. Numri i të dënuarve që dalin nga burgu pas amnistisë shkon në 700 ndërsa 3,200 të dënuar përfitojnë ulje nga dënimet e tyre.

Miratimi i Amnistisë Penale kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash dhe Partia Socialiste në pushtet është duke kërkuar aleatë mes partive të opozitës për ta miratuar atë. Por sipas studiuesve të politikës, kjo po bëhet përmes një praktike jotransparente dhe në shkelje të procedurës parlamentare.

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i tha BIRN-it se në rastin konkret nevoja për të siguruar vota dhe nevoja për të përçarë grupe të ndryshme politike ka prevaluar më shumë se sa nevoja për të respektuar procedurën parlamentare dhe transparencën apo llogaridhënien publike.

“Përpjekja për të përdorur nisma të deputetëve të caktuar, për t’i deformuar ato dhe për t’ia përshtatur qëllimit politik përbën shkelje të thelbit të procedurës parlamentare dhe transparencës që duhet të ushtrojë parlamenti,” tha Krasniqi.

Sipas tij, nuk mundet që një komision të deformojë një amendament të ardhur nga një deputet pa praninë e tij dhe pa miratimin e tij dhe nuk mundet të marrë vendime mbi nismat e ardhura në parlament pa pyetur palën inicuese dhe pa parë argumentet që ata kanë.

“Fakti që parlamenti nëpërmjet komisionit të ligjeve e ka bërë këtë gjë dhe po kërkon ta kalojë në seancë plenare lidhet me kalkulimet politike të ditës se sa realisht me një proces amnistie”- shton ai.

Pavarësisht përplasjeve, socialistët do të vijojnë me planin për ta hedhur për votim projektligjin në seancën e së enjtes, ku shpresojnë të marrin edhe vota nga opozita.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd