Transmetuar më 22-02-2024, 12:03

Gjyqi i parë madhor i ligjit "vetëm po, do të thotë po" tashmë ka një dënim. Seksioni 21 i Gjykatës së Barcelonës ka dënuar futbollistin Dani Alves me 4 vite e 6 muaj burg për sulm seksual ndaj një vajze 23-vjeçare në tualetet e zonës VIP të klubit të natës “Sutton”, natën mes 30 dhe 31 dhjetor 2022. Vendimi vjen dy javë pas gjyqit, në të cilin Alves, i burgosur që nga 20 janari 2023, pohoi se ishte "seks konsensual" dhe se kishte pirë shumë atë natë.

Vendimi i Gjykatës së Barcelonës tani mund të apelohet përpara Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalonjës (TSJC) dhe Gjykatës së Lartë. Lojtari brazilian u largua nga burgu “Brians 2” herët këtë të enjte për t’u dërguar në Gjykatën e Barcelonës dhe në këtë mënyrë për t’u informuar personalisht për dënimin.

Prokuroria publike dhe ajo private, e kryesuar nga Ester García në emër të “viktimës”, kërkuan respektivisht 9 dhe 12 vite burg për ish-lojtarin e Barcelonës për veprën penale të sulmit seksual me depërtim. Mbrojtja e Alves, e përfaqësuar nga avokati Inés Guardiola, kërkoi lirim ose, si alternativë, një vit burg dhe dëmshpërblim prej 50.000 eurosh, duke përdorur ndikimin e alkoolit, ndër të tjera, si rrethana lehtësuese.

Gjykata vlerësoi se deklarata e “viktimës”, e mbështetur nga prova të tjera si hetimi i “Mossos d’Esquadra”, dëshmitë e miqve dhe punonjësve të klubit të natës, si dhe raportet mjeko-ligjore, janë elementë të mjaftueshëm për të vërtetuar fajësinë e Alves.

Krahas dënimit, gjyqtarët i caktojnë lojtarit një dëmshpërblim prej 150 mijë eurosh për “viktimën”, shumë kjo e regjistruar tashmë në gjykatë dhe që kallëzuesja do ta marrë në momentin e përfundimit të dënimit. Edhe pse bëhet fjalë për një të burgosur, dënimi ndaj lojtarit brazilian u dha brenda pak ditësh dhe më herët se sa pritej.

Gjykata nuk i ka besuar deklaratës së lojtarit, i cili në gjykim deklaroi se denoncuesja, 23 vjeçe në atë kohë, kishte pranuar të kryente marrëdhënie seksuale në banjën e lokalit të natës. "As nuk më tha të ndaloja, apo se nuk donte. Ne të dy po e shijonim, kaq, asgjë më shumë", – tha lojtari brazilian. Më në fund, gjykata ka vendosur një dënim të ashpër ndaj Alves, kështu që për momentin do të qëndrojë në burg, derisa një gjykatë më lart të vendosë ndryshe.

Ngjarjet datojnë që në orët e para të 30 dhjetorit 2022, kur Alves fluturoi për në Barcelonë. Atë ditë telefonoi shokun e tij Bruno dhe u takuan për darkë. Ata rezervuan një tavolinë në një restorant dhe më pas shkuan në klubin e natës “Sutton”, në “Tuset Street”, ku denoncuesja pretendon se u përdhunua nga ish-futbollisti i Barcelonës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd