Transmetuar më 22-02-2024, 20:04

Nga ballkoni i tij ku u drejtohet mbështetësve të tij çdo pasdite, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Sali Berisha deklaroi se kreu i qeverisë përdor “avionin e tij privat”, për të transportuar tonelata drogë apo edhe para droge.

“Edi Rama me avionin e tij privat, rezulton se ka udhëtuar 3 gjer në 7 herë më shumë se çdo kryeministër në Europë, Azi, Afrikë dhe Oqeani. Çfarë janë këto udhëtime? Janë një pjesë për punë. Të tjerat janë udhëtime transporti”, akuzoi ish-kryeministri, akuza këto të denja për filma të Netflix-it.

Sipas Berishës, për këto “transportime”, përdoret avioni “Ismail Qemali”, pjesë e flotës së “Air Albania”, me të cilin udhëton kryesocialisti.

“Ndaj dhe në 18 muaj, 140 udhëtime. Ndaj dhe emërohet Taulant Balla për të shkatërruar TIMS-in në mënyrë që të mos gjenden gjurmët e këtyre udhëtimeve. Por ja ku ia them këtu, se ai do hetohet për secilin prej këtij udhëtimi…Thonë se nga Shqipëria niset valixhe diplomatike më shumë se nga 30 vende të marra së bashku”, shfrenoi më tej fantazinë Berisha.

Zgjidhja e vetme për të vënë përgjegjësit para drejtësisë sipas Berishës është gjyqi publik, prokurori publik. Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta “vijojnë betejën për qeverinë teknike.”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd